Nuk ka më pengesa, Hungaria i hap rrugën anëtarësimit të Suedisë në NATO
Hiqet penga edhe fundit që Suedia të jetë në NATO. Parlamenti i Hungarisë ka ratifikuar kërkesën e mbretërisë së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, duke hequr në këtë mënyrë pengesën e fundit që vendi nordik të bëhej pjesë e aleancës më të madhe ushtarake.
Hungaria ishte e fundit nga 31 anëtarët e NATO-s që miratoi anëtarësimin e Suedisë, pasi Turqia e mbështeti masën muajin e kaluar. Anëtarësimi në NATO kërkon unanimitet nga të gjithë anëtarët e saj.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me aleancën disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Por ndryshe nga Finlanda, oferta e Suedisë u vonua pasi Ankaraja dhe Budapesti vendosën kushte.