Nuk ndalet SHBA, priten sanksione të reja ndaj Rusisë, gati ‘lista e zezë’
Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin të enjten sanksione ndaj Rusisë lidhur me pretendimet për ndërhyrje në zgjedhje dhe veprimtari të dëmshme kibernetike, të cilat do të vënë në shënjestër disa individë dhe entitete, thanë burime të afërta me këtë çështje.
Një nga burimet tha se sanksionet, me të cilat 30 subjekte pritet të futen në “listën e zezë”, do të lidhen me urdhra për dëbimin e rreth 10 zyrtarëve rusë nga Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të komentuar këto pohime.
Veprimi do të thellojë ftohjen e marrëdhënieve edhe ashtu të akullta midis Uashingtonit dhe Moskës, e cila ka sprovuar durimin e perëndimit me grumbullimet ushtarake afër kufirit me Ukrainën.
Sanksionet në shkallë të gjerë pritet të jenë një përgjigje ndaj shkeljes së sigurisë kibernetike që preku softuerin e krijuar nga kompania SolarËinds, për të cilin qeveria amerikan tha se ishte orkestruar me gjasë nga Rusia. Shkelja u dha hakerëve qasje në mijëra kompani dhe zyra qeveritare që përdorën produktet e kompanisë.
Presidenti i Microsoft Brad Smith e përshkroi sulmin, i cili u identifikua në dhjetor, si “më të madhin dhe të sofistikuarin që bota ka parë ndonjëherë”.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu synojnë të ndëshkojnë Moskën lidhur me pretendimin për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2020. Në një raport të publikuar muajin e kaluar, agjencitë amerikane të zbulimit thanë se Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të ketë urdhëruar një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish presidentit Trump.
Veprimi i pritshëm i Uashingtonit ka të ngjarë të përkeqësojë tensionet në një marrëdhënie që ra në një nivel të ri të pas Luftës së Ftohtë muajin e kaluar, pasi që presidenti Biden tha se ai mendonte se Putini ishte një “vrasës”.
Në një bisedë telefonike të martën, presidenti Biden i tha presidentit Putin se Shtetet e Bashkuara do të vepronin “me vendosmëri” për të mbrojtur interesat e tyre. Presidenti Biden gjithashtu propozoi një takim me presidentin Putin “në një vend të tretë” që mund t’u lejojë udhëheqësve të gjejnë hapësira për të punuar së bashku.
Në javët e fundit, Uashingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s u alarmuan nga një grumbullim i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që Moska e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
“Armiqësia dhe paparashikueshmëria e veprimeve të Amerikës, na detyrojnë në përgjithësi të jemi të përgatitur për skenarët më të këqij”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov javën e kaluar, duke parashikuar sanksionet e reja.
/VOA