Nuk respektoi masat, kryeministri çek kërkon dorëheqjen e ministrit
Kryeministri çek, Andrej Babis, i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Shëndetësisë, Roman Prymula, pasi zhvilloi një takim në ambientet e një restoranti duke shkelur masat anti-covid.
Ky skandal është bërë publik të premten, në një kohë kur qeveria çeke po regjistron numrin më të lartë të rasteve pozitive me COVID-19 në Evropë. Gazeta Blesk publikoi fotografi të ministrit Prymula duke dalë nga një restorant dhe duke hyrë në makinë pa maskë.
“Kur stafi ynë mjekësor po lufton në vijën e parë për të shpëtuar jetët e bashkëqytetarëve tanë, një gjë e tillë është absolutisht e pafalshme”, u tha kryeministri çek gazetarëve.
Qeveria çeke ka miratuar vendosjen e maskës në ambientet e brendshme dhe të jaashtëme, ndërsa restorantet janë të mbyllura për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Sakaq, Ministri Prymula në lidhje kërkësën e kryeministrit ka thënë se do të japë dorëheqjen nëse kjo është dëshira e publikut.
Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, regjistroi të enjten 14,151 raste pozitive, shifra më e lartë ditore e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë.