Numri i infektimeve botërore arrin në 11 mijë brenda një dite
Numri i të infektuarve me COVID-19 në të gjithë botën arriti në mbi 153 mijë vetë të Dielën në darkë duke u rritur me gati 11 mijë brenda një dite, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e saj të fundit mbi situatën e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Italia shënoi një rekord tjetër negativ duke regjistruar gati 3500 infektime të konfirmuara brenda ditës ndërsa numri i të vdekurve për të dielën ishte 173, ndjeshëm më i ulët se sa të shtunën. Dymbëdhjetë vende dhe territore raportuan të dielën rastet e tyre të para. Aktualisht sëmundja ka prekur 143 vende dhe territore.
Gjatë ditës së Dielë qeveri të shumta nëpër botë ndërmorrën masa gjithnjë e më ekstreme kundër përhapjes së virusit, i cili duket sikur nuk ka të ndalur. Franca mbylli kafenetë dhe restorantet, të cilat disa vërejtën se kishin qëndruar hapur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që u detyruan të mbyllen sot nga një krizë e paprecedentë.
Gjermania njoftoi se do të mbyllë kufijtë me Austrinë, Danimarkën, Francën, Luksemburgun dhe Zvicrën, duke ndjekur qeveritë e tjera të Bashkimit Europian që kanë ndërmarrë masa të tilla për të penguar qarkullimin e virusit. Në Spanjë forcat ushtarake u nxorrën në rrugë për të kryer dizinfektimet e mjediseve publike ndërsa vendi shënoi 1,522 infektime të reja dhe 16 të vdekur gjatë të dielës. Kompania e prodhimit të makinave Ford urdhëroi mbylljen e fabrikës së saj në Valencia për së paku një javë pasi tre nga punëtorët e saj rezultuan pozitivë ndaj COVID-19.
Irlanda urdhëroi mbylljen e pabeve të veta të famshme, një vendim ky edhe më dramatik nëse merret parasysh që u ndërmor në prak të festës kombëtare të Shën Patrikut, një ditë që zakonisht përjetohet me qëndrime të gjata në pabe. Edhe parada e përvitshme e Shën Patrikut u anulua. Para se të merrej vendimi për mbylljen e pabeve, shumë pronarë pabesh vendosën në mënyrë vullnetare të mbyllnin dyert. Në Irlandë mbi 50 mijë persona e kanë jetesën të lidhur me këtë shërbim.
Irlanda ka mbyllur shkollat dhe universitetet nga java e kaluar ndërsa ka këshilluar njerëzit të anulojnë të gjitha takimet në vende të mbyllura me pjesëmarrje më të lartë se 100 persona. Në Irlandë kafetë dhe restorantet vijojnë të jenë të hapura ndërsa vendi ka deri më sot 169 të prekur nga virusi.
Në Itali, shqetësimi është rritur për rraskapitjen e stafeve mjekësore dhe mbingarkesën e spitaleve në veri të vendit, ku gjendet edhe shumica e personave në nevojë për kujdes mjekësor.
Në rajonin tonë, Greqia shënoi një rritje dramatike të numrit të personave të prekur nga 98 në 228 ditën e dielë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rezerva Federale uli normën referencë të interesit në pothuajse zero dhe shpalli se do të blejë sasi të mëdha të borxhit publik për të hedhur para në qarkullim. Norma e interesit u la mes 0 dhe 0.25%, me një reduktim prej 0.5% nga niveli i mëparshëm ndërsa blerja e titujve të thesarit të SHBA-ve parashikohet në nivelin e së paku 500 miliardë dollarëve “brenda muajve të ardhshëm”.
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew M. Cuomo shpalli mbylljen e shkollave publike të këtij shteti duke dërguar në shtëpi 1.1 milionë nxënës. Bashkia e Nju Jorkut po punon me sindikatat e punonjësve të sektorit bashkiak për një program special kujdesi për fëmijët e punonjësve të bashkisë që duhet të qëndrojnë në punë për të mbajtur shërbimet kryesore në funksionim ndërkohë që fëmijët e tyre nuk janë në shkollë.
Aktualisht në SHBA ka 3,100 raste personash të prekur. Vetëm një javë më parë, numri i rasteve në SHBA ishte vetëm 500.