OBSH: 10% e popullsisë globale mund të jetë infektuar me koronavirus
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësoi se rreth 10 për qind e popullsisë globale është infektuar me koronavirus, ndërsa shumica e njerëzve mbeten të cenueshëm ndaj sëmundjes që e shkakton ai, COVID-19.
Mike Ryan, i cili udhëheq ekipin e emergjencave pranë OBSH-së, tha se pandemia “nuk po shuhet”.
Shpërthimet e sëmundjes janë në rritje sidomos në Azinë Juglindore dhe Evropë, tha ai.
“Vlerësimet tona më të mira aktuale tregojnë se rreth 10 për qind e popullsisë globale mund të jetë infektuar nga ky virus. [Shifra] ndryshon varësisht nga vendi, nga zonat urbane dhe rurale dhe nga grupet. Por, ajo që do të thotë është se shumica e botës mbetet në rrezik”, tha Ryan.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 35 milionë njerëz në gjithë botën.
Prej tyre, mbi një milion kanë vdekur dhe mbi 24.5 milionë janë shëruar.
Ryan po ashtu tha se OBSH-ja ka dorëzuar tek autoritetet kineze një listë ekspertësh, që do të merrnin pjesë në një mision ndërkombëtar në Kinë, për të hetuar origjinën e koronavirusit.
Koronavirusi është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të dhjetorit.