OBSH: 100 mijë vetë do vdesin nga Covid deri në fundin e Lojërave Olimpike!
Më shumë se 100 mijë vetë do të vdesin nga Covid 19 në mbarë botën nga tani e deri në fundin e Lojërave Olimpike është parashikimi i zymtë i kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një takimi me komitetin ndërkombëtar Olimpik në Tokio se “pandemia është një test dhe bota po dështon”. Ai gjithashtu paralajmëroi se kushdo që mendon se Covid 19 kaloi sepse rastet janë nën kontroll në vendin e tyre, padyshim po jeton në “parajsën e budallenjve”, siç u shpreh ai.
Më shumë se 4 milionë vetë kanë vdekur e të tjerë do të vdesin akoma. Që tani këtë vit, numri i vdekjeve është më shumë se dyfishi i totalit të vitit të kaluar. Deri në kohën kur të shuhet flaka olimpike në 8 gusht, më shumë se 100 mijë persona të tjerë do të shuhen.
Më herët, kreu i komitetit për organizim të Lojërave Olimpike Verore, Toshiro Muto, tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë e anulimit të këtij eventi nëse ka ndonjë shpërthim të koronavirusit. Muto u shpreh se organizatorët janë duke analizuar nga afër të dhënat rreth pandemisë dhe se ai vetë është në kontakt me zyrtarë tjerë për të marrë vendime të bazuara në informacionet e fundit. Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur zyrtarët kanë raportuar për nëntë raste tjera pozitive të lidhura me persona të përfshirë në këto Lojëra, duke e çuar numrin e personave të infektuar në 71.