OBSH: Do të blejmë ilaçe kundër Covid për 10 dollarë

Agjensia e lajmeve Reuters ka siguruar një dokument që tregon se OBSH-ja po kërkon të ndihmojë vendet e varfra që të sigurojnë teste, vaksina dhe ilaçe antivirale për pacientët me simptoma të lehta të COVID-19, e kjo do të bëhet përmes një programi të veçantë, i cili është ende në formën e draftit.

Dokumenti tregon planet për t`i dhuruar rreth 1 miliard teste vendeve më të varfra. Po kështu, do të blihen ilaçe për trajtimin e 120 milionë pacientëve në nivel global, nga rreth 200 milionë raste të reja që vlerësohet se do të paraqiten në 12 muajt e ardhshëm.

Një nismë e tillë dëshmon angazhimin e OBSH-së për të rritur furnizimet me ilaçe dhe teste me një çmim relativisht të ulët, thotë Reuters. Masa vjen pasi ka pasur shumë kritika për një qasje të pabarabartë ndaj vaksinave kundër koronavirusit.

Shtetet më të pasura siguruan një pjesë të madhe të furnizimeve duke i lënë vendet e varfra pa sasi të mjaftueshme. OBSH-ja ka ndërmend të sigurojë edhe medikamente antivirale për pacientët me COVID-19.

Kompania farmaceutike amerikane, Merck, po pret miratimin urgjent të pilulës së saj për trajtimin e pacientëve me koronavirus. Edhe pse nuk e citon saktësisht këtë ilaç, dokumenti parasheh të paguajë 10 dollarë për kurs për “antiviralë të rinj oral për pacientët me simptoma të buta dhe të moderuara”.

SHKARKO APP