OBSH: Ekspertët tanë në Kinë, për të vijuar hetimin e origjinës së Covid-19
Ekspertët ndërkombëtarë do të kthehen në Kinë, për të vazhduar hetimin e origjinës së koronavirusit dhe për të shqyrtuar gjetjet e shkencëtarëve kinezë. Kjo u deklarua nga shefi i urgjencës i OBSH-së, Mike Ryan, duke theksuar se ai kishte marrë “sigurinë” nga Pekini se do të lehtësojë operacionet në terren.
Korrikun e kaluar një ekip nga agjencia e Kombeve të Bashkuara shkoi në Kinë për të përgatitur terrenin për një analizë më të thelluar. Që atëherë, asnjë ekspert ndërkombëtar nuk ka shkelur në vend.
Studiuesit kinezë po kryejnë studime epidemiologjike në raste dhe kushte të hershme në një treg të prodhimeve të detit në qytetin qendror kinez Wuhan. Një ekip ndërkombëtar ekspertësh është krijuar për të kryer studime të fazës 2.
Shtetet e Bashkuara dhe disa delegacione evropiane, kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me vonesën dhe kanë kërkuar një afat kohor të vizitës së ekspertëve ndërkombëtarë. Virusi u identifikua për herë të parë në Wuhan në Dhjetor, duke bërë që presidenti i SHBA-së Donald Trump ta etiketojë atë “murtaja e Kinës” dhe të akuzojë OBSH-në se u tregua e butë me Pekinin.