OBSH: Koronavirusi i përqëndruar në 5 vende
OBSH-ja argumenton se bota ka mundësi që ta kufizojë përhapjen e koronavirusit të ri. Pjesa më e madhe e rasteve raportohen në 5 shtete, mes tyre Italia, ku mbi 2 mijë mësohet të jenë infektuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se koronavirusi i ri është përhapur në 61 shtete të botës, edhe pse mbetet i përqendruar vetëm në 5 prej tyre.
Nga rreth 90 mijë rastet globale të virusit Kovid-19, 90 për qind janë raportuar në Kinë, ndërsa shumica në epiqendrën e epidemisë në provincën Hubei.
“Jashtë Kinës, kemi një total prej 8,739 rastesh, me 127 vdekje në 61 shtete. Në 24 orët e fundit numri i rasteve të raportuar jashtë Kinës ishte nëntë herë më i madh. Epidemitë në Republikën e Koresë, në Itali, Iran dhe Japoni janë shqetësimi më i madh,” deklaroi drejtuesi i OBSH-së, Tedros Adanom.
Në Itali bilanci i viktimave nga koronavirusi është rritur mbi 50 ndërsa të infektuarit janë shtuar mbi 2 mijë.
Disa nga qytetet më të prekura veriore kanë pezulluar aktivitetet dhe shkollat deri javën e ardhshme.
“Në Itali shohim se kryeministri po koordinon përpjekjet me qeverinë lokale duke rritur mbikëqyrjen. Sigurisht që janë kapur në befasi nga virusi, por institucionet italiane janë të forta dhe ne kemi besim se do arrijnë ta përmbajë epideminë,” njoftoi OBSH-ja.
Rreziku i përhapjes së virusit në Bashkimin Europian është ngritur në nivelin më të lartë ndërsa bilanci i viktimave nëpër botë ka kaluar shifrën 3,100.
Përveç Italisë, në kontinentin europian Franca raporton mbi 190 të infektuar, Gjermania 165, Spanja 120 dhe Zvicra e Britania e Madhe mbi 40.
Numri i të diagnostikuarve me infeksionin vdekjeprurës është rritur në 90 edhe në SHBA ku të paktën 6 persona kanë gjetur vdekjen brenda pak ditëve, në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit.