OBSH: Mbajmë raportet me SHBA-në

OBSH-ja vlerëson kontributin e SHBA-së ndër vite në çështjet e shëndetit global dhe kërkon nga qeveria amerikane të rishikojë vendimin për daljen nga organizata botërore.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreson të bashkëpunojë sërish me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pas vendimit të presidentit Donald Trump për të shkëputur lidhjet me të.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar akuzoi OBSH-në për varësi ndaj Kinës dhe mospërmbushjen e reformave që të përballet me pandeminë Covid-19.

Me largimin e saj, janë pezulluar edhe fondet prej qindra milionë dollarë që qeveria amerikane i siguronte agjencisë së OKB-së.

“Bota ka përfituar nga angazhimi i ngushtë me qeverinë dhe popullin e SHBA-së. Qeveritë amerikane dhe kontributet e bujaria e popullit të saj për çështjet e shëndetit global kanë bërë ndryshimin kudo, dhe është OBSH-ja dëshiron që ky bashkëpunim të vazhdojë,” deklaroi të hënën kreu i organizatës.

Në lidhje me situatën me pandeminë, Amerikanë Qendrore dhe Jugore konsiderohen tani vatra botërore të transmetimit intensiv të koronavirusit.

Mendohet se atje ende nuk është arritur kulmi, ndërkohë që mbi 6 milion njerëz në botë janë bartës të kovidit dhe gati 380 mijë të tjerë kanë humbur jetën prej sëmundjes infektive.

Sipas ekspertëve të OBSH-së, lajmi i mirë është se virusi po e humbet disi fuqinë e vet infektuese.

“Ndoshta virusi nuk po dobësohet në vetvete, por ne si komunitet dhe si glob po e ulim me sukses numrin e të infektuarve, shpeshtinë e ekspozimit ndaj virusit. Gjithsesi rreziku mbetet.”

OBSH-ja thotë se vendimi i shteteve nëpër botë për t’iu rikthyer aktiviteteve ekonomike dhe për të lehtësuar masat e izolimit është për t’u vlerësuar, porse duhet treguar maturi në çdo qasje politike.

SHKARKO APP