OBSH ngre alarmin: Pandemia po zgjerohet si kurrë më parë, 160 mijë raste të reja në ditë në nivel global
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar një tjetër paralajmërim, duke thënë se pandemia e koronavirusit është duke u përhapur më shpejt se kurrë më parë.
Sipas të dhënave të Organizatës, shkalla e infektimit javën e kaluar ka arritur në nivelin më lartë që nga fillimi i pandemisë.
Kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se numri i rasteve të infektimit brenda një dite ka arritur në mbi 160,000 në nivel global.
Vetëm Shtetet e Bashkuara më 1 korrik, kanë raportuar mbi 50,000 raste të të infektuarve brenda ditës.
Rritja e numrit të të infektuarve ka detyruar zyrtarët amerikanë, sidomos në shtetet jugore dhe ato perëndimore, që të kthejnë mbrapsht vendimet për hapje të restoranteve dhe plazheve, në prag të Festës të Pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik.
Kjo situatë duket se ka ndryshuar edhe tonin e presidentit amerikan, Donald Trump për vendosje të maskave.
Trump është kritikuar për rezistim të vendosjes së maskës, mirëpo me rritjen e numrit të rasteve të infektimit, ai ka thënë më 1 korrik, “nëse do të isha shumë afër njerëzve, do ta vendosja atë”.