OBSH nxit vendet të hetojnë raste të mëhershme të COVID-19: Do t’i jepte botës një pamje të re dhe më të qartë

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “nuk është befasues” raporti se një rast me koronavirus në Francë është regjistruar në dhjetor – më herët seç është menduar deri më tani.

Sëmundja e identifikuar më vonë si COVID-19 u raportua për herë të parë nga autoritetet kineze tek OBSH më 31 dhjetor dhe nuk besohej më parë se ishte përhapur në Evropë deri në janar.

“Kjo jep një pamje krejt të re për gjithçka”, tha zëdhënësi i OBSH Christian Lindmeier në një konferencë të KB në Gjenevë, duke iu referuar raporteve franceze.
“Është po ashtu e mundur të gjenden edhe raste të tjera të mëhershme”, tha Lindmeier.

“Gjetjet ndihmojnë për të kuptuar më mirë qarkullimin e mundshëm të virusit të COVID-19”, shtoi ai, duke thënë se raste të tjera të mundshme të mëparshme mund të shfaqen pas rishikimit të mostrave.

Një spital francez i cili ka provuar mostrat e vjetra nga pacientët me pneumoni zbuloi se kishte trajtuar një burrë që kishte COVID-19 qysh më 27 dhjetor, gati një muaj para se qeveria franceze të konfirmonte rastet e para.

Lindmeier inkurajoi vendet e tjera që të kontrollonin të dhënat për rastet e pneumonisë me origjinë të paspecifikuar në fund të vitit 2019, duke thënë se kjo do t’i jepte botës një “pamje të re dhe më të qartë” të shpërthimit.

I pyetur në lidhje me origjinën e virusit në Kinë, Lindmeier theksoi se ishte “shumë, shumë e rëndësishme” për ta zbuluar.

Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, dyshohet se ka pasur në fakt koronavirus.
Mjeku i tij, Yves Cohen, u tha mediave franceze se mostra e marrë atëbotë nga ai, është testuar së voni dhe ka dalë pozitive për koronavirus.

Ky lajm do të thotë se koronavirusi në Francë mund të ketë arritur një muaj më herët seç mendohet. Por, sipas konfirmimeve të deritashme, tre rastet e para me koronavirus në Francë janë regjistruar më 24 janar.

Franca është njëri nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi. Afro 170,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 25,000 kanë humbur jetën.

Sekretari i Shtetit Amerikan Mike Pompeo pretendon se vendi i tij ka “prova” se koronavirusi i ri doli nga një laborator në Wuhan, Kinë, megjithëse shkencëtarët kanë këshilluar OBSH-në se është me origjinë shtazore.

“Kjo mund të ketë nevojë për misione të mëtejshme ose një mision (në Kinë), kështu që ne po e shqyrtojmë këtë”, tha Lindmeier.

Eksperti i lartë i urgjencave të OBSH-së, Dr, Mike Ryan tha të hënën se drejtuesi i organizatës kishte ngritur çështjen e origjinës së virusit “në nivelin më të lartë” gjatë një misioni të OBSH në Kinë në janar.

SHKARKO APP