OBSH: Pandemia e pakontrollueshme

Epidemia e koronavirusit të ri po shkon drejt një faze pandemie, por ka shpresa që ajo mund të kontrollohet. Në botë raportohen rreth 115 mijë të infektuar ndërsa numri i viktimave ka kaluar 4 mijë. Në tregjet globale është rikthyer optimizmi.

Shqipëria është futur zyrtarisht në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mes vendeve të prekura nga koronavirusi.

Mbi 110 shtete të botës tani raportojnë rreth 115 mijë të prekur e mbi 4 mijë viktima në total.

Për OBSH-në, përhapja e sëmundjes po i afrohet epidemisë së përgjithshme.

“Tani që virusi ka hedhur rrënjë në kaq shumë vende, kërcënimi i një pandemie është bërë shumë i vërtetë. Megjithatë kjo do të jetë pandemia e parë në histori që do të mund të kontrollohet. Më e rëndësishmja është që ne nuk jemi në mëshirë të virusit,” deklaroi kreu i OBSH-së, Tedros Adanom.

Zyrtari i organizatës së shëndetësisë theksoi se nevojitet optimizëm dhe vendimmarrje e shpejtë e qeverive, bizneseve, komuniteteve dhe vetë individëve për të zbutur pasojat e sëmundjes.

“Nga mbi 80 mijë rastet në Kinë, më shumë se 70 për qind janë shëruar dhe liruar nga spitalet. Edhe po ta quajmë pandemi, është çështje kohe që ta vëmë nën kontroll, të mos pranojmë të jetojmë me të, por ta mposhtim,” u shpreh shefi i OBSH-së.

Organizata deri tani ka mbledhur rreth 300 milionë dollarë për të luftuar sëmundjen e koronavirusit, duke u shpërndarë pajisje personale mbrojtëse dhe instrumente laboratorike në gati 120 shtete të botës.

Në nivel global, Kina raporton se numri i pacientëve të diagnostikuar rishtas me Kovid-19 po ulet gradualisht, sikundër numri i viktimave në ditë.

Pas Italisë me 9 mijë të infektuar, Koreja e Jugut radhitet në vend të tretë me 7,500 pacientë, Irani mbi 7 mijë, dhe Franca, Spanja, Gjermania e Japonia me mbi 1,200 të infektuar.

Vendimi i hershëm për të kufizuar vajtje-ardhjet nga këto vende ndërkaq duket se ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara të përmbajnë sëmundjen me vetëm 700 raste të konfirmuara dhe 26 viktima.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se nuk është mundur të shmanget impakti në ekonomi, dhe po diskutohet ulja e mundshme e taksave mbi pagat.

Vendimi erdhi pasi një ditë më parë bursa e Nju-Jorkut dhe ato ndërkombëtare pësuan kolaps, por të martën optimizmi u rikthye dhe dëmet u zhbëhen sërish si në tregjet europiane edhe në ato aziatike.

SHKARKO APP