OBSH: Rreziku i koronavirusit tmerrësisht i lartë, mund të preken të gjithë vendet!
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka ngritur nivelin e rrezikut nga koronavirusi në “tejet të lartë”, e tani thotë se shumica, në mos të gjithë vendet e botës duhet të presin shpërthim të epidemisë. Situata e koronavirusit “po përkeqësohet”, deklaroi OBSH-ja, pasi Nigeria konfirmoi rastin e parë në Afrikën nënsahariane.
Zëdhënësi Christian Lindmeier tha për gazetarët në Gjenevë se organizata po rishqyrton dhe raportet për disa persona të riinfektuar me koronavirus. Megjithatë, shtoi ai, një person, i cili ka pasur koronavirus, “do të duhej të ishte imun së paku për një farë kohe”. Në Itali, bilanci i viktimave u rëndua sërish, duek mbërritur tani në 21 të vdekur; të prekurit janë 821 por po shtohet dhe niveli i pacientëve të shëruar.
Greqia fqinjë shënoi rastin e katërt më Covid 19’ pacientja është një 36-vjeçare e porsakthyer nga Italia e veriut e cila po mbahet ne spitalin Atikon të kryeqytetit grek. Specialistet presin edhe raste të tjera të coronavirusit duke këshilluar njerëzit të mos shfaqin shenja paniku dhe të marrin masa mbrojtjeje.
Ministri maqedonas i shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi ndërkohë se dikasteri i tij rekomadoi që të ndalohen tubimet publike masive, masë kjo që merret në përputhje me Ligjin për sëmundjet ngjitëse e që duket është aprovuar nga qeveria. Dy ditë më parë, mjekët në Shkup konstatuan rastin e parë të koronavirusit në Maqedoni.
Bëhet fjalë për një 50 vjeçare që kishte qenë në Itali, e cila është vendosur me shpejtësi në karantinë. Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur. Numri më i madh i rasteve është në Kinë, ndërsa pas saj vijnë Koreja e Jugut, Japonia, Italia, Irani, Singapori e të tjera.