OBSH: Spitali kryesor i Gazës nuk funksionon më
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se spitali më i madh i Gazës “nuk po funksionon më si spital”.
Duke shkruar në X, i njohur më parë si Twtter, doktori Tedros Ghebreyesus tha se spitali Shifa kishte qenë pa energji elektrike për tre ditët e fundit, “pa ujë dhe me internet shumë të dobët që ka ndikuar rëndë aftësinë tonë për të ofruar kujdes thelbësor”.
“Bota nuk mund të qëndrojë e heshtur ndërsa spitalet, të cilat duhet të jenë strehë të sigurta, shndërrohen në skena vdekjeje, shkatërrimi dhe dëshpërimi”, shkroi ai.
Ndërkohë, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare thotë se bombardimet izraelite dhe përleshjet e armatosura rreth spitalit Shifa janë “intensifikuar” që nga pasditja e së shtunës.
“Infrastruktura kritike, duke përfshirë stacionin e oksigjenit, rezervuarët e ujit dhe një pus, objektin kardiovaskular dhe repartin e maternitetit, u dëmtuan dhe tre infermierë u vranë”, tha agjencia.
Ai shtoi se disa anëtarë të stafit dhe pacientë kanë arritur të largohen, ndërsa të tjerët janë bllokuar brenda.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë thirrjet urgjente për një armëpushim nëse nuk përfshin lirimin e të gjithë pengjeve të kapur nga Hamasi ditën e 7 tetorit që shënoi nisjen e luftës.
Një ditë pasi Netanyahu tha se Izraeli po sillte “forcën e plotë” të tij me qëllimin për t’i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gaza, banorët raportuan sulme të rënda ajrore dhe granatime, duke përfshirë Spitalin Shifa.
Izraeli, pa dhënë prova, ka akuzuar Hamasin për fshehjen e një posti komandues brenda dhe nën spital, akuza të mohuara nga Hamasi dhe stafi i spitalit.