OBSH: Të rinjtë përgjegjës për rigjallërimin e Covid-19 në Europë
“Të rinjtë janë përgjegjës për rritjen e rasteve me Covid-19 në Europë”. Deklarata erdhi nga Drejtori Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, doktor Hans Kluge. Për Radio BBC, ai thekson se autoritetet duhet të komunikojnë më mirë për pjesëtarët më të rinj të shoqërisë. ”Një numër vendesh në rritje po përjetojnë shpërthime lokale dhe shtim të rasteve. Ajo që ne dimë, është se kjo vjen si pasojë e ndryshimet të sjelljes njerëzore”.
Ai shton se OBSH-ja po merr raporte nga disa autoritete shëndetësore për një proporcion më të lartë të përhapjes së infeksionit mes të rinjve. ”Për mua, thirrja është mjaftueshëm e lartë për të rimenduar një mënyrë se si të përfshihen më mirë moshat e reja”.
Si babai i dy vajzave, Kluge thotë se e kupton që ata nuk duan t’u kalojë vera pa e shijuar. Por shton se të rinjtë kanë një përgjegjësi kundër vetes, prindërve, gjyshërve dhe komunitetit. Zyrtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bën thirrje kësaj grupmoshe që të zbatojnë sjellje të shëndetshme duke mbajtur maskë, dezinfektuar duart dhe sigurisht respektuar distancimin social.