OBSH: Vaksinat efektive, por situata është ende e brishtë, udhëtimet ende nuk janë të sigurta
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përmirësimi i situatës së pandemisë mbetet ende ne nivel të “brishtë” dhe bëri thirrje që të shmangen udhëtimet ndërkombëtare.
“Të përballur me një kërcënim të vazhdueshëm, dhe pasiguri, ne duhet të tregojmë kujdes”, tha drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge.
I ashtuquajturi variant indian i koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, i cili mund të jetë më i transmetueshëm, tani është identifikuar në të paktën 26 nga 53 vendet në rajonin evropian, tha Kluge gjatë konferencës së tij javore për media.
Por, ai tha se vaksinat e autorizuara janë efektive kundër llojit të ri. Në rajonin e Evropës të OBSH-së, i cili mbulon edhe një pjesë të Azisë Qendrore, numri javor i rasteve të reja është ulur për 60 për qind për një muaj. Megjithatë, varianti indian i koronavirusit ende është duke u studiuar.
“Ai është në gjendje të përhapet me shpejtësi”, tha Kluge.
Variantet e reja “nuk janë në vetvete të rrezikshme, por ato mund të bëhen nëse ndryshojnë sjelljen e virusit”, tha OBSH në një publikim në faqen e internetit.
Deri më tani vetëm 23 për qind e njerëzve në rajonin evropian kanë marrë një dozë vaksine, dhe vetëm 11 për qind janë injektuar me dy doza, tha Kluge.
“Vaksinat mund të jenë një dritë në fund të tunelit, por ne nuk duhet të verbohemi nga kjo dritë”, tha ai.