OBSH: Varianti “Delta” do të dominojë botën në muajt e ardhshëm
Varianti ‘Delta’ i Covid-19 pritet të bëhet varianti dominues gjatë muajve të ardhshëm, tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Varianti Delta i zbuluar për herë të parë në Indi, tani është regjistruar në 124 vende, 13 më shumë se javën e kaluar, tha OBSH.
“Pritet që mutacioni Delta të tejkalojë me shpejtësi variantet e tjera dhe të bëhet lloji kryesor, dominues gjatë muajve të ardhshëm,” tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, në raportin e përjavshëm epidemiologjik.
Nga tri variantet e tjera s të koronavirusit mutacioni Alfa, zbuluar së pari në Britani, është raportuar në 180 vende (gjashtë më shumë se javën e kaluar), Beta, zbuluar së pari në Afrikën e Jugut, në 130 (shtatë më shumë) dhe Gamma, zbuluar për herë të parë në Brazil, në 78 (tre më shumë).
Gjatë katër javëve të fundit deri në 20 korrik, përhapja e Delta tejkaloi 75 % në disa vende, duke përfshirë Australinë, Bangladeshin, Botsvana, Britaninë, Kinën, Danimarkën, Indinë, Indonezinë, Izraelin, Portugalinë, Rusinë, Singaporin dhe Afrikën e Jugut.
OBSH-ja po tha se 3.4 milionë raste të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë, 12% më shumë se në javën para asaj.
“Me këtë ritëm, pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milionë në tri javët e ardhshme”, tha OBSH.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka infektuar deri më tash mbi 191.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur. Janë injektuar mbi 3.9 miliardë vaksina në të gjithë botën.