OKB: 7000 të arrestuar në protestat në Iran

Kombet e Bashkuara thanë të premten se së paku 7000 njerëz raportohet të jenë arrestuar në Iran, gjatë protestave masive të muajit të kaluar.

Zyra për të Drejta të Njeriut e OKB-së tha po ashtu se ka siguruar “video të verifikuara” që i tregojnë forcat e sigurisë duke qëlluar me armë në drejtim të protestuesve. Zyra e OKB-së shtoi se ka informacione që sugjerojnë për së paku 208 njerëz të vrarë.

“Ka gjithashtu raporte, që Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut deri më tani nuk ka mundur t’i verifikojë, por që sugjerojnë se numri i të vrarëve është dyfish më i lartë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të premten.

Komisionarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se videot e siguruara nga zyra e saj tregojnë se “kundër protestuesve është përdorur dhunë e rëndë”.

Protestat në Iran kanë nisur më 15 nëntor, pas një rritjeje të papritur të çmimeve të naftës, dhe kanë zgjatur disa ditë. Departamenti amerikan i Shtetit tha të enjten se mbi 1,000 njerëz mund të jenë vrarë gjatë trazirave atje. Autoritetet iraniane nuk kanë dalë me ndonjë numër zyrtar të njerëzve të vdekur./ Burimi: REL

SHKARKO APP