OKB optimiste: Do “mundim” HIV/AIDS deri në 2030
Dyzet vite pas raportimit të rasteve të para me AIDS, Kombet e Bashkuara u shprehën optimistë se HIV – virusi që shkakton sëmundjen mund të mposhtet deri në vitin 2030. Agjencia UNAIDS tha se të paktën 40 vende ishin në rrugën e duhur dhe pritet të shënojnë një rënie prej 90 përqind të vdekshmërisë për shkak të AIDS deri në 2030, duke përfshirë nëntë vende në Afrikën Lindore dhe Jugore.
Në një raport, Programi i Përbashkët i OKB-së për AIDS tha se 37.6 milion njerëz në të gjithë botën ishin të infektuar me HIV në vitin 2020. Prej tyre, 27.4 milion kanë marrë trajtim, tre herë më shumë se 7.8 milion në 2010. Një trajtim i përballueshëm dhe cilësor mund të kishte shmangur 16.2 milion viktima që nga viti 2001, tha UNAIDS.
Gjatë dekadës, numri i viktimave të lidhura me AIDS ra me 43 përqind në 690,000 në vitin 2020. Por progresi në uljen e infeksioneve të reja me HIV ishte më i ngadaltë –një rënie prej 30 përqind është shënuar që nga viti 2010, me 1.5 milion njerëz të infektuar vitin e kaluar krahasuar me 2.1 milion në vitin 2010.
Më të rrezikuarit janë femrat nga mosha 15 deri në 49 vjeç në Afrikën nën-Sahariane./abcnews.al