OKB rrezikon falimentin, Guterres: Shtetet nuk paguajnë tarifat

Kombet e Bashkuara janë përballë rrezikut të “kolapsit të afërt financiar” për shkak të mospagimit të tarifave të shteteve anëtare. Këtë fakt e ka bërë të ditur kreu i këtij organizmi Antonio Guterres. António Guterres tha se OKB-ja përballet me një krizë financiare e cila po “thellohej, duke kërcënuar zbatimin e programit”, dhe se paratë mund të mbarojnë deri në korrik.

Ai shkroi në një letër drejtuar ambasadorëve se të 193 shtetet anëtare duhej të respektonin pagesat e tyre të detyrueshme ose të rishikonin rrënjësisht rregullat financiare të organizatës për të shmangur kolapsin. Kjo vjen pasi kontribuesi më i madh i OKB-së, SHBA-të, refuzuan të kontribuonin në buxhetet e saj të rregullta dhe paqeruajtëse, dhe u tërhoqën nga disa agjenci që i quajtën “humbje parash të taksapaguesve”.

Guterres tha se OKB-ja ishte përballur me kriza financiare në të kaluarën, por se situata aktuale ishte “kategorikisht e ndryshme”. “Vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt të miratuar tani janë njoftuar zyrtarisht”, shkroi sekretari i përgjithshëm, pa përmendur anëtarë specifikë, shkruan A2 CNN.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai tha se “integriteti i të gjithë sistemit” varej nga shtetet që i përmbaheshin detyrimit të tyre ligjor sipas kartës së OKB-së për të paguar “kontributet e tyre të vlerësuara”, duke shtuar se viti 2025 përfundoi me një shumë rekord të papaguar – ekuivalente me 77% të totalit të borxhit. Guterres tha se një rregull që OKB-ja duhet t’u kthejë paratë e pashpenzuara anëtarëve nëse nuk mund të zbatojë një buxhet krijoi një “goditje të dyfishtë” në të cilën “pritej të kthente para që nuk ekzistojnë”. “Nuk mund ta ekzagjeroj urgjencën e situatës me të cilën përballemi tani. Ne nuk mund të ekzekutojmë buxhete me fonde të pambledhura, as të kthejmë fonde që nuk i kemi marrë kurrë.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai shkroi: “Në fund të fundit, çështja është e qartë: ose të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet e tyre për të paguar plotësisht dhe në kohë, ose shtetet anëtare duhet të rishikojnë rrënjësisht rregullat tona financiare për të parandaluar një kolaps të afërt financiar.” SHBA-të janë kontribuesi më i madh i organizatës ndërkombëtare, por Presidenti Donald Trump ka thënë se ajo nuk po e përmbushte “potencialin e saj të madh” dhe e ka kritikuar atë për dështimin në mbështetjen e përpjekjeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-të.

Në janar, ai tërhoqi SHBA-të nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë rreth 31 agjenci të OKB-së, për të “i dhënë fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që avancojnë axhendat globaliste mbi prioritetet e SHBA-së”. Në fund të dhjetorit, SHBA-të premtuan 2 miliardë dollarë (1.5 miliardë paund) për të financuar programet humanitare të OKB-së – duke paralajmëruar në të njëjtën kohë se organizata duhet të “përshtatet ose të vdesë”. Kjo ishte një pjesë e vogël e shpenzimeve të saj të mëparshme. Në vitin 2022, kontributi i saj në punën humanitare të OKB-së u vlerësua në 17 miliardë dollarë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?