Omicron është më pak agresiv, reduktohen mundësitë për hospitalizim

Transmetueshmëria e lartë e variantit Omicron të koronavirusit, ka vënë në alarm botën. Por studime fillestare të publikuara në Britaninë e madhe dhe Afrikën e jugut, arrijnë në përfundimin se varianti është më pak agresiv krahasuar me ato të mëparshmit.

Të dhënat paraprake sugjerojnë se më pak njerëz kanë nevojë të shtrohen në spital, ndërsa vlerësohet se reduktimi varion nga 30 deri në 70 për qind. Një studim në Skoci ka marrë në shqyrtim raportin mes numrit të infektimeve dhe atyre që shtrohen në spital. Siç thuhet, nëse Omicron do të sillej njësoj si Delta, të shtruarit do të kishin qenë 47. Momentalisht, vetëm 15 persona janë të hospitalizuar.

Ekspertët thonë se po shohin një reduktim me 2/3 e personave që shtrohen në spital, por pjesëmarrësit në studim kanë qenë të pakët.

Një studim i Imperial College në Londër, zbuloi se personat me Omicron kishin 15 për qind deri në 20 për qind më pak shanse të vizitonin një spital, dhe 40 deri në 45 për qind me pak mundësi për të kaluar natën atje.

Megjithatë, studiuesit janë të shqetësuar se varianti po përhapet shumë shpejt, dhe thonë se numri i lartë i rasteve mund të tejkalojë përfitimet e të qenit më i butë.

Një studim tjetër në Afrikën e Jugut tregon gjithashtu se Omicron është më pak agresiv. Sipas tij, të prekurit kanë 70-80 për qind më pak nevojë për hospitalizim krahasuar me valët e mëhershme.

SHKARKO APP