Omicron në Europë, dominues nga mesi i janarit
Vetëm vaksinimi nuk do të mund të ndalë dot hovin e variantit të ri të koronavirusit, Omicron. Paralajmërimi vjen nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, e cila tha se ka nevojë urgjente për veprim.
Duke e cilësuar si shumë të lartë rrezikun nga efektet e Omicron në shëndetin publik, agjencia bën thirrje për fuqizimin dhe rikthimin e masave të tilla si mbajtja e maskave, distancimi social dhe parandalimi i grumbullimeve në hapësira publike.
Presidentja e Komisioni Europian tha më herët se Omicron pritet të jetë varianti mbizotërues i koronavirusit në 27 vendet e Bashkimit Evropian nga mesi i janarit. Ndërsa infektimet në Kontinentin e Vjetër po shënojnë rritje dramatike, Von der Leyen tha se BE-ja është e përgatitur mirë për të luftuar Omicronin me 66.6% të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht.
Europa mund të ndjekë zhvillimet në Britani për të kuptuar më mirë atë që e pret nga përhapja e Omicronit. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thonë se, brenda disa ditësh, Omicroni do të jetë varianti dominuesi Covid-19 në vend. Sipas tyre, ai po përhapet me ritme shumë me të shpejta në krahasim me variantet e mëparshme.