Operacion i madh policor në Spanjë, shkatërrohet banda italo-shqiptare
Policia spanjolle goditi një bandë italo-shqiptare e cila merrej me trafikimin e narkotikëve drejt Italisë.
Agjentë të antidrogës u dislokuan në provincën jugore të Malagës, ku organizata kishte bazën e saj të magazinimit dhe shpërndarjes së dërgesave.
8 persona u arrestuan në rezidenca të ndryshme me qira që përdoreshin për ruajtjen e narkotikëve.
Në njërën nga magazinat, policia gjeti një kamion për transportin e kafshëve.
Brenda tij u zbuluan 239 kg marijuanë dhe 60 kg hashash, sasi të paketuara në vakuum.
Operacioni për çmontimin e grupit kriminal filloi në janar.
Agjentët siguruan informacione se pjesëtarët italianë dhe shqiptarë të bandës blinin dhe transportonin rregullisht lëndë narkotike, të cilën pasi e siguronin në vend, e çonin drejt Italisë.
Në kuadër të operacionit, autoritetet spanjolle sekuestruan, ndër të tjera, kamionin me të cilin do të shpërndahej sasia e narkotikëve, 6 makina luksoze, 16 telefona celularë dhe rreth 8,500 euro.
Për 5 nga të dyshuarit u mor masa e izolimit në burg.