Opozita fiton zgjedhjet në Rumani, pak gjasa për të formuar qeverinë

Socialdemokratët në Rumani kanë marrë shumicën e votës popullore në zgjedhjet parlamentare, por opozitarët kanë pak gjasa të formojnë qeverinë pasi i mungojnë aleatët. Kryeministri Ludovik Orban thotë se fituan liberalët e tij.

Opozita rumune ka fituar zgjedhjet parlamentare të së dielës, dhe do të tentojë të sigurojë pushtetin një vit pasi u detyrua ta dorëzojë atë.

Socialdemokratët e udhëhequr nga Marçel Çolaku morën 30 për qind të votës popullore si në Dhomën e Deputetëve, edhe në Senat.

Pesë për qind poshtë tyre u renditën liberalët pro europianë të kryeministrit Ludovik Orban, të cilët duket se mund të vijojnë të qeverisin vendin në koalicion me aleatët, një pikë e dobët kjo e opozitës socialdemokrate.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte vetëm 32 për qind, e ndikuar nga pandemia e koronavirusit por edhe nga zhgënjimi që njerëzit tregojnë se kanë për klasën politike në vend.

Kryeministri Orban tha të martën se mbeten për t’u numëruar edhe votat e diasporës.

Ludovik Orban : Në vlerësimin tonë, Partia Liberale Kombëtare beson se i ka fituar zgjedhjet. Edhe pse disa zgjodhën të mos marrin pjesë, këto zgjedhje duhet t’i shihni si tepër të rëndësishme për fatin e Rumanisë.”

Aleanca mes “Unionit për Shpëtimin e Rumanisë” dhe “Partisë për Liri, Unitet dhe Solidaritet” u rendit e treta me rreth 15 për qind të votave në dy dhomat e parlamentit, ndjekur nga partia më radikale me 8 për qind, që mbron idenë e një shteti rumun të bashkuar me Moldavinë.

Qytetarët shpresojnë se ekzekutivi i ri do mund ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe kriza epidemike që e mundon prej muajsh vendin e Bashkimit Europian.

Qytetarët : Shpresojmë që të bëhemi më mirë. Kjo është jeta e rumunëve, të jetojnë me shpresë.”

Qytetarët: Kam një pension fare të ulët edhe pse kam punuar 37 vite. Asgjë s’kanë bërë për ne. Votuan për rritjen e pensioneve me 40 për qind dhe vazhdojnë ta shtyjnë reformën.

Kryeministri rumun Orban ka premtuar se ai do i qëndrojë rrugën properëndimore dhe modernizimit të shtetit që tri dekada më parë i dha fund komunizmit.

SHKARKO APP