Opozita në Mianmar apel për rezistencë: Momenti më i errët, por edhe agimi i demokracisë tonë
Edhe pse shtohet numri i civilëve të vrarë në përplasjet me policinë, opozita e Mianmarit kërkon që revolucioni i tyre të vijojë deri në rrëzimin e plotë të ushtarakëve që kanë marrë me dhunë pushtetin.
Opozita e Mianmarit i ka bërë thirrje qytetarëve t’i vijojnë protestat kundër juntës ushtarake.
Deputetët që veprojnë në fshehtësi për t’i shpëtuar arrestimit thanë se kthimi apo jo i demokracisë në vend varet prej popullit.
“Ky është momenti më i errët për kombin tonë, por dhe momenti para agimit të demokracisë. Nëse ecim të bashkuar dhe të pamposhtur, do e arrijmë atë,” deklaroi një nga drejtuesit e organit të fshehtë opozitar.
Ushtria që mori me forcë pushtetin e Mianmarit thotë se do e drejtojë vendin të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Opozitarët janë kërcënuar se me organin e ri politik rrezikojnë deri 22 vite burg për tradhti të lartë.
Ndërkohë, qytetarët vazhduan edhe të dielën të kërkojnë rikthimin e qeverisë së mëparshme.
Nga përleshjet me policinë raportohet se kanë humbur jetën mbi 80 persona në 7 javë protesta.
Në qytetin e madh të Jangonit, një grup bllokoi rrugën dhe iu drejtua me mesazhe Kombeve të Bashkuara, duke u kërkuar një operacion paqeruajtës kundër regjimit ushtarak.