Orgji dhe drogë, skandali që tronditi sistemin e kryeministrit hungarez

Skandali seksual i bashkëthemeluesit të Fidesz-it, Jozsef Szajer, nxjerr në pah hipokrizinë dhe moralin e dyfishtë të një shteti, kryeministri, Viktor Orban është shprehur kundër komuitetit LGBTQ +.

Jeta seksuale e politikanëve është përgjithësisht një çështje private. Por jo, kur këta tjetër bëjnë, e tjetër flasin.

Orgji dhe drogë

Jozsef Szajer dha dorëheqjen të dielën si deputet i Parlamentit Evropian, pasi pranoi se kishte thyer rregullat e pandemisë për të marrë pjesë në një orgji të paligjshme në Bruksel, ku shumica e pjesëmarrësve ishin burra. Media belge e quajti si një lloj „gang bang” festën, e cila u zhvillua në një apartament në një bar homoseksualësh dhe shkelte rregullat e vëna për të parandaluar koronavirusin. Policia hyri në banesë pasi fqinjët u ankuan për zhurmë dhe thuhet, se gjetën më shumë se 20 të zhveshur.

Jozsef Szajer, gjysmë i zhveshur, ishte përpjekur të dilte nga dritarja, dhe me vete kishte drogë, por jo kartën e identitetit. Prandaj edhe autoritetet e shoqëruan në banesën e tij, ku u tregoi pasaportën diplomatike.

Ai dha të dielën dorëheqjen me argumentin se jeta politike ishte bërë për të “një ngarkesë mendore gjithnjë e më e madhe”. Por të martën, publiku mësoi arsyen e vërtetë të dorëheqjes, kur doli me një deklaratë për mediat hungareze duke pranuar se kishte marrë pjesë në festën e Brukselit.

Afera hedh një dritë të re mbi regjimin e Orbanit. Në vitin 1988, József Szájer ishte një nga 37 bashkëthemeluesit e Fidesz-it dhe ai është një nga të paktët që ende është aktiv në politikë, së bashku me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Laszlo Köver, dhe gazetarin, Zsolt Bayer, i cili ka shkruar një mori artikujsh racistë.

Jozsef Szajer, i cili në Bruksel funksiononte si një fijelidhës i profilit të lartë dhe kishte luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të Orbanit ndaj Bashkimit Evropian, është i martuar me Tunde Hando, një avokate dhe gjykatëse e shquar, që drejtonte Zyrën Kombëtare të Gjyqësorit të Hungarisë deri në vitin 2019 dhe ishte e dobishme në minimin e ndarjes së pushteteve, çka bëri që gjyqtarët të viheshin nën ndikimin qeveritar.

Megjithëse vetë Szajer nuk shihet si një teoricien konspiracioni, kurrë nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me pikëpamjet e tij. Në Bruksel, ai shpesh mbronte me forcë ideologjinë nacionaliste, etnike dhe kristiane fundamentaliste të Orbanit.

Në korridoret e BE-së flitet se Jozsef Szajer madje kishte hartuar edhe tekstin për kushtetutën e parë të Hungarisë pas Luftës së Ftohtë, e cila hyri në fuqi në vitin 2012. “Hungaria do të mbrojë institucionin e martesës si bashkimin e një burri dhe një gruaje të krijuar me vendim vullnetar, dhe familja si baza e mbijetesës së kombit “, thuhet aty.

Homofobia në rritje

Homofobia ka qenë një pjesë e përhershme e politikës së qeverisë hungareze që kur Orbani mori pushtetin në vitin 2010. Gjatë viteve, kryeministri ka bërë komente homofobe të papërpunuara dhe nënçmuese.

Muajt e fundit, megjithatë, Orbani here pas here bënte deklarata primitive ndaj homoseksualëve. Në tetor, Orbani do t’i krahasonte ata për here të pare me pedofilët. Ai tha se Hungaria ka “një qasje jashtëzakonisht tolerante dhe të duruar” ndaj homoseksualëve, por deri në një vijë të kuqe: “Mos të na prekin fëmijët “, tha ai. Në nëntor, qeveria shtoi një ndryshim në nenin e familjes: Nëna është një grua, babai është burrë. Ndërsa në maj, parlamenti miratoi një ligj që ndalonte ndryshimin e gjinisë në dokumentet e identitetit.

SHKARKO APP