Padi qeverisë italiane për keqmenaxhimin e pandemisë, familjarët e viktimave kërkojnë 100 mln euro dëmshpërblim

Itali, 500 familjarë të viktimave kërkojnë 100 mln euro dëmshpërblim

Padia thotë se qeveria mund të kishte vepruar më parë

Qeveria italiane është paditur për mosveprimin në kohë në lidhje me marrjen e masave për pandeminë e koronavirusit. 500 familjarë të viktimave nga koronavirusi po kërkojnë 100 milionë euro dëmshpërblim. Padia është ngritur kundër kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë dhe presidentit të rajonit të Lombardisë.

Rreth 500 familjarë të viktimave të koronavirusit paditën qeverinë italiane dhe kërkojnë 100 milionë euro dëmshpërblim pasi pretendojnë mosmarrjen e masave në fazën e parë të pandemisë.

Aksioni drejtohet nga grupimi “Noi Denunceremo” (Ne do të denoncojmë), që deri më tani i ka drejtuar rreth 300 kërkesa prokurorisë së Bergamos, një prej qyteteve të rajonit verior të Lombardisë, ku vala e para e pandemisë goditi më fort.

Padia është ngritur kundër kryeministrit Giuseppe Conte, ministrit të Shëndetësisë Roberto Speranza dhe presidentit të rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana.

Italia ishte vendi i parë pas Kinës që vuajti pasojat e shpërthimit të koronavirusit dhe deri më tani ka regjistruar rreth 70 mijë viktima.

Padia pretendon mosveprime serioze nga qeveria rajonale dhe ajo qendrore, duke filluar me vendimin për rihapjen e spitalit Alzano më 23 shkurt pasi aty u identifikua rasti i parë me COVID-19.

Një deklaratë e shpërndarë për mediat pretendon gjithashtu vonesa për të izoluar qytetet Alzano dhe Nembro, si dhe mungesën e planeve për të vepruar në gjendje pandemie. Qeveria italiane e vendosi izolimin kombëtar më 10 mars, ndërsa prokurorët po hetojnë nëse masat mund të ishin marrë më herët.

Udhëheqësit rajonalë dhe qeveria Conte fajësojnë njëri tjetrin në lidhje me mosveprimet.

Gjysma e viktimave është shënuar para korrikut, ndërsa tani vendi po kalon një valë tjetër infektimesh dhe qeveria ka vendosur izolim kombëtar për festa.

SHKARKO APP