Pamje apokaliptike

Teksa zjarret vijojnë të jenë aktive thuajse në çdo cep të Australisë, një makth krejtësisht tjetër ka goditur qytetin e Mildura, në shtetin e Viktorias. Të enjte, teksa dielli arriti pikun e tij, vapa dhe era e fortë në shtetin veriperëndimor po bënin të njëjtën gjë. Kur temperaturat shënojnë 40 gradë dhe alarmi nga zjarret është në maksimum, një mur pluhuri rrethoi qytetin rural.

Shumë shpejt qielli nisej të bëhej portokalli dhe “pëlhura” e pluhurit gjithnjë e më e dendur, duke bërë që i gjithë qyteti të mbulohej nga mjegulla. Përveç pamjeve apokaliptike, banorët u përballën edhe me një rënie prej 8 gradësh të temperaturave në vetëm 30 minuta, për shkak të erërave prej 40 km/h.

Një zyrtar i Byrosë Meteorologjike në Victoria, duke folur për ”7 News Australia”, tha se stuhitë e pluhurit nuk janë të pazakonta dhe duke marrë parasysh motin e nxehtë e të thatë që ka goditur rajonin, nuk ishte totalisht e papritur. Frekuenca e këtyre stuhive po shndërrohet në një çështje shqetësuese. Teksa ndryshimet klimatike po sjellin një mot gjithnjë e më të ngrohtë e të thatë, banorët thonë se e kanë të vështirë që të përshtaten me fenomene të tilla.

SHKARKO APP