Pandemia në Europë, Merkel: Reduktoni kontaktet
Presidenti francez, Emanuel Makron, parashikon që vendi i tij do vazhdojë të përballet me pandeminë e koronavirusit të ri të paktën deri në mesin e vitit tjetër.
Franca raportoi të premten 40 mijë të infektuar të rinj nga covidi-19 dhe 300 jetë të tjera të humbura brenda ditës, ndërkohë që totali i të prekurve ka kaluar shifrën 1 milion.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adanom, thotë se kudo po raportohet rritje eksponenciale e infeksioneve.
“Disa vende po marrin trajektore të rrezikshme kur jemi akoma në tetor. U bëjmë thirrje liderëve të veprojnë menjëherë, të shmangin vdekjet e panevojshme, kolapsin e shërbimit kryesor shëndetësor dhe mbylljen sërish të shkollave. E thamë edhe në shkurt: Kjo nuk është shaka.“
Rastet e infeksionit të covidit-19 në Europë janë dyfishuar në 10 ditët e fundit kur në nivel global numërohen mbi 42 milionë të prekur dhe gati 1 milion e 150 mijë janë viktimat.
Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndalur valën e infeksionit që po godet pa kursim, me 14,700 raste ditën e shtunë dhe 10 mijë viktima gjithsej.
“Nuk jemi të pafuqishëm ndaj virusit. Mënyra si sillemi përcakton sa gjerë dhe shpejt përhapet ai. Ajo që na kërkohet të gjithëve për momentin është të reduktojmë kontaktet. Takoni sa më pak njerëz.“
Me gjithë situatën serioze në vend, qeveria spanjolle ende nuk ka vendosur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme nga pandemia, ndërsa Holanda ka nisur t’i transferojë një pjesë të pacientëve të vet në Gjermani pasi nuk po e përballon dot mbingarkesën në spitale.
Në Britani, shkencëtarët pritet t’i udhëzojnë qytetarët dhe punëdhënësit të mbajnë hapur dritaret pasi mosajrimi i ambienteve të tyre është vërejtur se po rrit transmetimin e virusit.
Rekorde të reja ditore po raportojnë Zvicra, Italia, Çekia dhe Polonia, sikundër fqinjët rajonalë si Maqedonia e Veriut dhe Greqia, ku në kryeqytet nga e shtuna nis ndalimqarkullimi prej mesnatës.
83 mijë të infektuar të rinj raportuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifrën më e lartë deri tani, por koronavirusi atje parashikohet të vrasë 500 mijë njerëz deri në shkurt, sipas studiuesve.
Sëmundja infektive po avancon në Amerikën Jugore, 10 milionë raste me kovid gjithsej regjistroi të shtunën edhe Azia, ndërkohë që Kina që ishte edhe epiqendra fillestare e koronavirusit, zbuloi të premten vetëm 28 raste të gjitha të ardhura nga jashtë.