Paniku në botë, Kina teston te minjtë vaksinën e parë provë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e cila sapo ka dërguar një ekip ekspertësh në Kinë, numri i infeksioneve të zbuluara çdo ditë në vend është duke u stabilizuar, por është shumë herët për të konkluduar se epidemia e ka kaluar kulmin e saj. Po sipas OBSH, rastet e koronavirusit, transmetimi i të cilave konfirmohet se ka ndodhur nga njerëz që nuk kanë udhëtuar së fundmi në Kinë, mund të jetë “maja e ajsbergut”.

Shkencëtarët vazhdojnë të jenë në garë kundër kohës për të provuar të mposhtim virusin. Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Kinë thotë se ka filluar testimi në minj për një vaksinë të parë të mundshme por gjithashtu ka kujtuar se “testet e kafshëve bëhen në një fazë shumë të hershme në zhvillimin e një vaksine dhe se shumë hapa të tjerë do të duhet të merren akoma përpara se të jetë gati”. Sipas mediave në Kinë janë planifikuar gjithashtu edhe testime të mëtejshme të toksicitetit tek kafshët më të mëdha, siç janë majmunët, për të patur një vaksinë të sigurt për njerëzit.

Nëse shpërthimi i epidemisë duket se ka udhëtuar me një ritëm më të ngadaltë jashtë Kinës, OBSH nuk e ka përjashtuar mundësinë që mund të ketë një përshpejtim të epidemisë dhe është shprehur se njerëzimi ka ende një dritare mundësie për të mposhtur koronavirusin, duke këmbëngulur në nevojën e bashkëpunimit global kundër epidemisë.

SHKARKO APP