Papa Françesku lutet për Libinë, Ati i Shenjtë thirrje për paqe dhe mbrojtjen e refugjatëve

Me një lutje emocionuese nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku bëri thirrje për paqe dhe mbrojtjen e refugjatëve. Ati i Shenjtë kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të fillojë bisedimet me të dy palët luftuese. Libia e përfshirë nga kaosi që kur ra nga pushteti diktatori Muammar Gaddafi.

Papa Françesku bëri thirrje për paqe në Libi të dielën, duke ju kërkuar të dy palëve të përfshira në luftën civile të ndalojë luftimet, ndërsa komunitetit ndërkombëtar të fillojë bisedimet dhe të mbrojë refugjatët dhe imigrantët, të cilët Ati i Shenjtë i quajti viktima të mizorisë.

Gjatë një lutjeje plot emocion në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Françesku u shpreh i tronditur nga situata në Libi, vendi i cili është përfshirë nga kaosi dhe pa asnjë autoritet qendror të qëndrueshëm që nga rënie e diktatorit Muammar Gaddafi nga rebelët e mbështetur nga NATO në vitin 2011.

“Ju bëj thirrje organeve ndërkombëtare dhe atyre që kanë përgjegjësi politike dhe ushtarake të rifillojnë, me bindje dhe vendosmëri, kërkimin e një shtegu drejt përfundimit të dhunës, duke sjellë paqe, stabilitet dhe unitet në vend. Le të lutemi për Libinë në heshtje, të gjithë ne,” tha Ati i Shenjtë.

Që nga viti 2014, Libia është ndarë dhe udhëhiqet nga dy qeveri, ajo e njohur ndërkombëtarisht që kontrollon kryeqytetin Tripoli dhe veriperëndimin, ndërsa udhëheqësi ushtarak Khalifa Haftar nga Benghazi sundon lindjen e vendit.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin se të paraburgosurit dhe imigrantët mbahen në kushte çnjerëzore dhe janë të ekspozuar ndaj abuzimeve.

SHKARKO APP