Papa mungon në meshën e parë të 2021, por jep mesazhin: Shpresojmë për një Rilindje
Mesha e parë e këtij viti e mbajtur në Selinë e Shenjtë, erdhi ndryshe pasi ka munguar Papa Françesku. Vatikani njoftoi se shkak është bërë dhimbja e nervit shiatik që e ka ndaluar Papën t’u drejtohet besimtarëve. Ceremonia është drejtuar nga sekretari i shtetit, Pietro Parolin. Ai ka lexuar një mesazh të shkruar nga ati i shenjtë, i cili lutet që 2021 të jetë një vit i rilindjes pas tragjedive të kaluara.
”Shpresojmë për një rilindje dhe zakone të reja. Duhet të kuptojmë se na duhet një vaksinë për zemrën. 2021 do të jetë një vit i mirë nëse kujdesemi për të tjerët, siç bën Zoti me ne. Gjithçka fillon këtu, nga kujdesi për të tjerët, për botën, për krijimin”.
Nga ana tjetër, Papa Françesku thekson në letrën e tij se më e rëndësishme është shpresa te jeta. Për shkak të masave kundër pandemisë mesha ka qenë e kufizuar nga besimtarët.