Papa në Xhenova, ja kush është emigranti shqiptar që do gatuajë për të
Trembëdhjetë vite më parë, kur si shumë shqiptarë mori rrugën drejt Italisë në kërkim të një prespektive të re, ndoshta as nuk kishte dëgjuar për Vatikanin.
31-vjeçarin shqiptar Edison Lushaj rrugëtimi i tij si klandestin drejt shtetit fqinj, diku me këmbë dhe pastaj me makinë, do ta çonte drejt një bote të re, ndoshta larg asaj që kishte menduar por me shpresë dhe vullnet për të ndërtuar gjithçka nga zero.
Do të vendosej në Xhenova, qytetin me të cilin duket se do të dashurohej për të mos u ndarë më prej tij.
Historia e tij ka intriguar mediat italiane, pasi ai sot është menaxher i Hotel-Restorant San Giorgio, në të cilin Ati i Shenjtë Papa Françesku do të drekojë me 27 maj gjatë vizitës një ditore që do të zhvillojë në këtë qytet.
Dhe për mbarëvajtjen e kësaj dreke do të kujdeset Edison sëbashku me ekipin e tij italiano-shqiptar. Mes tyre spikat kuzhinierja po shqiptare, dhe bashkëshortja e Edison që punon bashkë me të në restorant dhe që gjithashtu është shqiptare.
Përgatitjet për vizitën e Papës kanë nisur prej ditësh. Në drekën e tij Ati i Shenjtë do të shoqërohet nga një grup njerëzish nga shtresa sociale të varfra dhe marxhinalizuara si të varfër, emigrantë, të pastrehë dhe të burgosur, ku do të dëgjojë historitë e tyre.
Në tryezë nuk do ketë verë, vetëm ujë dhe pije joalkolike. Ndërsa menuja e ushqimit është e thjeshtë, në stilin e Françeskut, por e miksuar me traditën Liguriane.