Papës Françesku: Dënimi me vdekje nuk sjell drejtësi, është helm për shoqërinë

“Një i krishterë në krahët e vdekjes. Angazhimi im përkrah të dënuarve”: ky, titulli i librit të Dale Racinella-s, botuar nga Libreria Editrice Vaticana, në dalje të martën, më 27 gusht. Parathënia, e Papës Françesku. Racinella, 72 vjeç, avokat i suksesshëm në Wall Street, shoqëroi shpirtërisht, si kapelan laik, të dënuarit me vdekje në disa burgje në Floridas, që nga viti 1998, së bashku me gruan e tij, Susan. Në këtë vëllim rrëfen përvojën, lindur nga takimi i tij me Jezusin

Ungjilli është takimi me një Njeri të gjallë, që e ndryshon jetën: Jezusi është i aftë të revolucionarizojë projektet tona, aspiratat dhe perspektivat tona. Ta njohësh Atë, do të thotë ta mbushësh jetën me kuptim, sepse Zoti na ofron gëzimin që nuk kalon kurrë. E sepse është Ai vetë gëzimi.

Historinë njerëzore të Dale Recinella-s, të cilin e takova në një seancë dëgjimore, e njoha më mirë përmes artikujve, që shkroi ndër vite për L’Osservatore Romano. E tani, përmes këtij libri, që prek zemrën, e konfirmon atë që është thënë: vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet sesi një burrë, me shumë synime të tjera për t’u arritur në të ardhmen e tij, u bë kapelan, e një i krishterë laik, u bë bashkëshort dhe atë i të dënuarve me vdekje.

Një detyrë shumë e vështirë, e rrezikshme dhe e mundimshme për t’u realizuar, sepse prek të keqen në të gjitha përmasat e saj: të keqen e bërë kundër viktimave, e cila nuk mund të ndreqet; të keqen që përjeton i dënuari, duke e ditur se e pret vdekja e sigurt; të keqen që, me praktikën e dënimit me vdekje, zë një vend që nuk duhet ta ketë në shoqëri. Po, siç e kam përsëritur disa herë, dënimi me vdekje nuk është në asnjë mënyrë rrugëzgjidhja e dhunës, që mund të prekë njerëzit e pafajshëm. Ekzekutimet kapitale nuk bëjnë kurrë drejtësi, ndërsa ushqejnë ndjenjën e hakmarrjes, që kthehet në helm të rrezikshëm për trupin e shoqërive tona civile. Shtetet duhet të shqetësohen e t’u japin të burgosurve mundësinë për ta ndryshuar me të vërtetë jetën e tyre, në vend që të investojnë para dhe burime për t’i shtypur ata, sikur të ishin qenie njerëzore të padenja për të jetuar, që meritojnë asgjësimin. Në romanin e tij Idioti Fjodor Dostojevski e përmbledh kështu, në mënyrë të përsosur, padrejtësinë logjike dhe morale të dënimit me vdekje, duke folur për një person të dënuar me të: “Është dhunim i shpirtit njerëzor, asgjë tjetër! Është thënë: “Mos vra!”, e përkundrazi, me që ai vrau, duhet ta vrasin të tjerët. Jo, është diçka që nuk duhet të ishte”.

Vetë Jubileu i vitit 2025 duhet t’i angazhojë të gjithë besimtarët që të kërkojnë njëzëri heqjen e dënimit me vdekje, praktikë e cila, siç thotë Katekizmi i Kishës Katolike, “është e papranueshme sepse cenon paprekshmërinë dhe dinjitetin e personit!” (n. 2267).

Për më tepër, veprimi i Dale Recinella-s, pa harruar kontributin e rëndësishëm të gruas së tij Susan, siç pasqyrohet në libër, është dhuratë e madhe për Kishën dhe shoqërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Dale jeton dhe vepron. Angazhimi i tij si kapelan laik, pikërisht në një vend vërtet çnjerëzor, si ai ku njeriu dënohet me vdekje, është dëshmi e gjallë dhe pasionante e shkollës së mëshirës së pafundme të Zotit, siç na mësoi Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës, ​​sipas të cilit nuk duhet të mendojmë kurrë se mund të ekzistojë një mëkat yni, një gabim ose veprimi yni, që na largon përfundimisht nga Zoti. Zemra e tij tashmë është kryqëzuar për ne. E Zoti mundet vetëm të na falë!

Natyrisht, kjo mëshirë e pafundme hyjnore mund edhe të shkandullojë, si shkandulloi shumë njerëz në kohën e Jezusit, kur i Biri i Zotit hante me mëkatarët dhe prostitutat. Vetë vëlla Dale duhet të përballojë kritika, ankesa dhe refuzime për angazhimin e tij shpirtëror, së bashku me të dënuarit. Por a nuk është e vërtetë se Jezusi priti në përqafimin e tij një hajdut të dënuar me vdekje? E pra, Dale Recinella e ka kuptuar vërtet këtë dhe e dëshmon me jetën e tij, sa herë kalon derën e një burgu, veçanërisht atë, që ai e quan “shtëpia e vdekjes”, se dashuria e Zotit është pa masë e pa kufi. E edhe se deri mëkatet tona më të ndyra, nuk e shpërfytyrojnë identitetin tonë para syve të Zotit: ne mbetemi bijtë e Tij, të dashur prej Tij, të ruajtur prej Tij, të çmuar prej Tij!

Prandaj do të doja ta falënderoj sinqerisht, tejet i prekur, Dale Recinellan: sepse veprimi i tij si kapelan në dënimin me vdekje është pranim këmbëngulës dhe pasionant i realitetit më intim të Ungjillit të Jezusit, që është mëshira e Zotit, dashuria e tij pa kurrfarë interesi për çdo njeri, edhe për ata që bënë e bëjnë gabime. E se pikërisht nga një shikim dashurie, si ai i Krishtit në kryq, ata mund të gjejnë kuptimin e ri të jetës së tyre e, edhe, të vdekjes së tyre!

R.SH. / Vatikan

SHKARKO APP