Paradë e vakët në Moskë për ditën e fitores për shkak të Covid-19

Pandemia e koronavirusit prishi planet e presidentit rus Valdimir Putin për një paradë madhështore në Moskë. Ai shkoi i vetëm pranë monumentit Flaka e Përjetshme dhe vendosi aty një tufë trëndafilash të kuq për nder të të rënëve në Luftën e Dytën Botërore.

Rusia shënoi të shtunën 75 vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, por për shkak të shpërthimit të koronavirusit festimet nuk ishin masvie dhe qytetarët u ndaluan t’i bashkohen presidentit Vladimir Putin.

Rusia po ndeshet me një gjendje të vështirë nga pandemia dhe muajin e kaluar presidenti Putin shtyu festimet për ditën e fitores. Për këtë ditë ishte parashikuar një paradë madhështore në Sheshin e Kuq të Moskës, ceremoni gjatë së cilës ushtria ruse i shfaq botës arsenalin e saj më modern.

I vetëm, presidenti Putin vendosi një tufë me trëndafila të kuq pranë memorialit të luftës Flaka e Përjetshme jashtë mureve të Kremlinit, pak pas shiut të dendur që ra në kryeqytetin rus.

“Veteranët tanë luftuan për jetën kundër vdekjes dhe ne gjithmonë do të marrim shembull nga uniteti dhe forca e tyre. Ne jemi të bashkuar nga kujtesa dhe shpresat tona, aspirata jonë, përgjegjësia jonë për të tashmen dhe të ardhmen. Ne e dimë dhe besojmë në mënyrë të vendosur se jemi të pamposhtur, kur jemi të bashkuar. Gëzuar ditën e fitores! Hooray!” tha Putini.

Një kolonë ushtarësh marshuan pas fjalimit të presidentit Putin ndërsa më pas banda e ushtrisë luajti himnin rus.

Në qiell, 75 avionë ushtarakë dhe helikopterë, përshirë dhe ata të teknologjisë së lartë Sukhoi Su-57, avionët më të përparuar të Rusisë, fluturuan në qendër të Moskës.

Që nga fundi i marsit, Moska dhe disa rajone të tjera të Rusisë janë në izolim për shkak të shpërthimit të koronavirusit, ku deri më tani janë infektuar rreth 200 mijë qytetarë.

Festime të vakëta për Ditën e Fitores u mbajtën edhe në qytete të tjera të Rusisë, ndërsa disa të tjera u anuluan tërësisht për shkak të motit të keq.

SHKARKO APP