Paralajmërimi i zyrtarit të lartë amerikan: Vala e dytë e koronavirusit mund të jetë edhe më shkatërruese

Ndërsa shtetet ecin përpara me planet për të rihapur ekonomitë e tyre, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëroi se një valë e dytë e koronavirusit do të jetë shumë më e keqe, sepse ka të ngjarë të përkojë me fillimin e sezonit të gripit.

Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, u bëri thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë muajt e ardhshëm për t’u përgatitur dhe për t’u vaksinuar kundër gripit.

“Ekziston mundësia që sulmi i virusit mbi vendin tonë, dimrin e ardhshëm, të jetë edhe më i rëndë se ai që sapo kaluam”, tha Redfield në një intervistë për gazetën Washington Post.

“Dhe kur ua them këtë të tjerëve, ata e kthejnë kokën prapa, ata nuk e kuptojnë se çfarë dua të them. Ne do të kemi në të njëjtën kohë epideminë e gripit dhe epideminë e koronavirusit ,” tha ai.

Sipas tij, të kesh dy shpërthime të njëkohshme virusi do të sillte një tendosje të paimagjinueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor, tha ai.
Redfield tha që zyrtarët federale dhe shtetëror duhet të përdorin muajt e ardhshëm për t’u përgatitur për atë që qëndron përpara.
Ndërsa urdhrat e qëndrimit në shtëpi janë hequr, zyrtarët duhet të theksojnë rëndësinë e vazhdueshme të distancës sociale, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave me koronavirus: mbi 800,000, përkatësisht mbi 45,000.

Miliarda njerëz në mbarë botën janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi gjatë muajve të fundit, pasi qeveritë po përpiqen ta frenojnë përhapjen e virusit ngjitës.

SHKARKO APP