Parashikuan motin gabim dhe krijuan përplasje politike, Hungaria shkarkon dy meteorologë
Dy zyrtarë të lartë të motit në Hungari janë shkarkuar pasi kanë parashikuar gabimisht reshje të shiut, që nxiti shtyrjen e një shfaqjeje me fishekzjarrë duke shkaktuar përplasje politike.
Ajo që ishte cilësuar si “shfaqja më e madhe në Evropë e fishekzjarrëve” e paraparë të mbahej mbrëmje e 20 gushtit për të festuar Ditën e Shën Stefanit u shty nga Qeveria, disa orë pasi Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë lëshoi një paralajmërim për mot ekstrem.
Atë natë, moti megjithatë ishte stabil, që çoi në shkarkimin e drejtueses së shërbimit të motit, Kornelia Radics, dhe zëvendësit të saj, Gyula Horvath.
Shkarkimet, që u bën të ditura nga ministri i Teknologjisë dhe Industrisë, Laszlo Palkovics, u përcollën me kritika ndaj shërbimit meteorologjik nga mediat hungareze të lidhura me Qeverinë.
Festimet për Ditën e Shën Stefanit duhej “të përshkruante një kronikë të përmbledhur të 1.000 vjetësh nga lindja e Hungarisë së krishterë deri në ditët e sotme, duke u përqendruar në mësimet e vlerave kombëtare”, thuhet në faqen e internetit që ka planifikuar këtë shfaqje me fishekzjarrë.
Festimet, sipas organizatorëve, kishin për qëllim të vinin në pah momentet më të rëndësishme të historisë hungareze dhe “vlerat e rëndësishme kombëtare që po ashtu mund të ofrojnë mësim moral për jetën e përditshme”.
Kryeministri populist i krahut të djathtë, Viktor Orban, ka kërkuar që të promovojë Hungarinë si bastion të mbrojtjes të të ashtuquajturave vlera të krishtera dhe traditave kombëtare. Në këtë kuadër, më 2015, Qeveria e tij ngriti një mur në kufirin jugor për të parandaluar kalimin e qindra-mijëra refugjatëve, që po iknin nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Por, Qeveria e Orbanit po ashtu është akuzuar nga Bashkimi Evropian, ku Hungaria është anëtare, për korrupsion, nepotizëm dhe tendenca anti-demokratike.
Pothuajse 100.000 persona kanë nënshkruar një peticion për të kërkuar anulimin e lëshimit të fishekzjarrëve në kohën kur shteti po përballet me krizë ekonomike, por edhe për shkak të luftës në Ukrainën fqinje.
“Në një shtet ku vlera e valutës kombëtare bie çdo ditë dhe çmimet rriten vazhdimisht, nuk ka vend për spektakle të tilla luksoze”, thuhet në peticion.
Shërbimi i meteorologjisë, ndërkaq më 23 gusht ka kërkuar që drejtuesit e shkarkuar të rikthehen në punë, duke argumentuar se Qeveria “injoroi pasigurinë shkencore, të pranuar shkencërisht, lidhur me parashikimet meteorologjike”.
Më 2006, pesë persona u vranë dhe mbi 300 u plagosën në Ditën e Shën Stefanit për shkak të motit të keq. Atëbotë, erërat arritën deri në 100 kilometra në orë në Budapest, teksa 1.5 milion persona ishin mbledhur për të parë nga afër festimet./REL