Pas 20 vitesh, Gjermania tërheq trupat ushtarakë nga Afganistani
Gjermania ka tërhequr tërë trupat ushtarake nga Afganistani, pas gati 20 viteve në betejë. Mbi 150 mijë ushtarakë burra dhe gra shërbyen në zonat e konfliktit që prej vitit 2001 në kuadër të aksionit ndërkombëtar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë.
59 prej tyre u kthyen pa jetë nga fushëbeteja dhe misioni konsiderohet një nga më vdekjeprurësit për forcat e vendit pas Luftës së Dytë Botërore.
Në njoftimin për shtyp, Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë theksoi se largimi zyrtar i trupave nga Afganistani u krye të martën në orën 21:24 të mbrëmjes, dhe pas ndalesës në Gjeorgji, mbërritën në vendlindje ditën e mërkurë.
Në vijim do të punohet për kthimin e gati 800 kontejnerëve me aparatura, 120 automjete dhe gjashtë helikopterë.
Mësohet se në Afganistan shërbenin ende rreth 600 ushtarë gjermanë, pjesë e një kontingjenti prej gati 10 mijë ushtarësh gjithsej nga NATO-ja.
Numër të konsiderueshëm trupash kanë edhe shtetet si Britania, Italia dhe Turqia, ndërkohë që Danimarka, Estonia dhe Spanja janë tërhequr.
SHBA-ja si nismëtarja e misionit ka planifikuar largimin nga Afganistani brenda datës simbolike të 11 shtatorit.