Pas 4 muajsh Sidney i jep fund bllokimit nga pandemia
Kafenetë, restorantet dhe palestrat në Sidnei kanë mirëpritur australianët e vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 pas gati katër muajsh mbyllje. Disa bare në Sidney, qyteti më i madh i Australisë, u hapën nga mesnata e së dielës. Por autoritetet paralajmëruan se numri i të infektuarve mund të rritet pas rihapjes së vendit.
Banorët e Sidney u karantinuan që nga vera për të parandaluar përhapjen e variantit më infektues Delta. Masat u hoqën pas 106 ditësh pas uljes së rasteve ditore. New South Wales regjistroi 496 raste në 24 orë ndërsa më shumë se 70% e popullsisë mbi 16 vjeç është vaksinuar plotësisht kundër Covid.
Shteti synon vaksinimin e 80% së popullsisë mbi 16 vjeç deri në fund të tetorit, kur kufizimet do të lehtësohen. Por të pavaksinuarit do të qëndrojnë të izoluar deri më 1 dhjetor. Që nga qershori u mbyllën dyqanet, shkollat, si dhe bizneset që nuk konsideroheshin të nevojshme. Banorët e New South Wales mund të udhëtonin 5 kilometra nga shtëpia dhe nuk u lejoheshin të vizitonin të afërmit, të bënin sport apo pazar.
Në fillim të pandemisë, Australia ndoqi strategjinë “zero covid” duke mbyllur kufijtë dhe duke kryer teste masive. Sidoqoftë, gjatë dimrit, një valë e epidemisë për shkak të Delta detyroi dy qytetet më të mëdha në vend, Sidneyn dhe Melburnin, të vendosnin një bllokim. Kufizimet në tubimet dhe udhëtimet jashtë vendit do të zgjasin edhe disa javë të tjera, dhe shkollat nuk janë rihapur plotësisht.
Sidoqoftë, jeta duket se është rikthyer në normalitet. Por Shoqata e mjekëve Australiane është e shqetësuar se incidenca mund të rritet përsëri. Edhe pse njoftoi se mbështet “një hapje graduale të ekonomisë dhe lehtësimin e kufizimeve”, shoqata theksoi se “është e nevojshme të vëzhgohen efektet e secilit hap në numrin e rasteve”.