Pas Amerikës edhe Gjermania sulmon OBSH-në, media: Çfarë horrori! Si dështoi OBSH me rastin e koronavirusit
Kur kishte më shumë rëndësi, ajo dështoi: kriza e koronës zbuloi dobësinë dramatike të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Shumë vonë, shumë e dobët, mjaft e butë me Kinën: Këto janë kritikat ndaj Autoritetit të Kombeve të Bashkuara për Shëndetin, të kryesuar nga politikani etiopian, Tedros Adhanom Ghebreyesus, 55 vjeç.
“OBSH na mashtroi,” tha presidenti i SHBA, Donald Trump në një mesazh dhe kërcënoi se do të hiqte financimet për organizatën pas pandemisë. “Për fat të mirë, unë refuzova këshillën e tyre për të mbajtur kufijtë hapur për Kinën”, tha Trump, duke shtuar: “Pse na dhanë këshilla kaq të këqija?”
-Më 14 janar, OBSH pretendoi se nuk kishte prova se koronavirusi i ri kalonte nga njeriu te njeriu.
-Më 23 janar, shefi i OBSH, Tedros, deklaroi se shpërthimi i koronës nuk ishte një krizë e rëndësishme ndërkombëtare dhe falënderoi qeverinë kineze për ‘bashkëpunimin dhe transparencën’.
-Edhe më 28 janar, shefi i OBSH-së, Tedros nuk e humbi optimizmin e tij dhe deklaroi me siguri se Kina do e kufizojë virusin- në atë kohë, regjimi i Pekinit kishte censuruar shtypin dhe mjekët që paralajmëronin se kishte më shumë se 100 të vdekur.
-Më 31 janar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do ndalohej hyrja në SHBA e kujtdo pa shtetësi amerikane ose kartë jeshile që ka qenë më parë në Kinë.
Çfarë horrori!
Problemi i OBSH: Ajo mori përsipër shifrat e propagandës në lidhje me shpërthimin e virusit nga regjimi kinez dhe shmangu kritikat ndaj pushtetarëve në Pekin.
Për shembull, nën presionin e Kinës, Tajvani nuk u lejua të ofrojë njohuritë e tij për pandeminë me vendet e tjera përmes kanaleve të zakonshme të OBSH. Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të tij dhe kjo është arsyeja se përse Tajvani e humbi statusin e vëzhguesit në OBSH.
Sidoqoftë, ndryshe nga OBSH, Tajvani nuk mbështetej në propagandën kineze. Vitet e fundit, shpërthimet epidemike nga Kina e kanë goditur fort Tajvanin sepse Pekini i ka maskuar shpërthimet. Autoritetet e sensibilizuara në Tajvan për këtë arsye reaguan më shpejt se OBSH pas sinjaleve të para të një shpërthimi të virusit.
Në OBSH ekziston një panik i vërtetë për Tajvanin- nga frika se mos mërzitet udhëheqja kineze. Kur epidemiologu Bruce Aylward, kreu i OBSH në Kinë, u pyet në lidhje me Tajvanin gjatë një interviste, ai bëri sikur nuk e kuptonte pyetjen.
Përfaqësuesja e Tajvanit në Gjermani, Jhy-Wey Sheih, kritikoi në BILD marrëdhënien e kontaminuar mes OBSH dhe Kinës.
Por sjellja e Kinës ndaj Tajvanit prek edhe vendet e tjera në lidhje me krizën e koronës. “Fatkeqësisht, Kina ka provuar se nuk është e besueshme në pandeminë e koronës. E kundërta e kësaj është Tajvani, i cili tregon se demokracia është superiore përkundrejt regjimeve autoritare në kriza të tilla,” thotë Frank Mueller-Rosentritt për BILD.
Raportuesi për Kinën i bën thirrje qeverisë gjermane: “Gjermania duhet të bëjë fushatë që Tajvani të marrë sërish statusin e vëzhguesit në OBSH dhe të përfshihet në shkëmbimin e informacionve. Tani bëhet fjalë për shkëmbim përvoje dhe njohurish në luftën kundër pandemive”.