Pas Brexit marrëveshje Britani-Afrikë
Kryeministri anglez, Boris Xhonson, synon ta vendosë Mbretërinë e Bashkuar në qendër të aleancave të reja globale pas divorcit me Bashkimin Europian, më 31 janar.
Pak ditë prapa Breksitit, kreu i qeverisë deklaron se hapja e një kapitulli të ri politiko-ekonomik me shtetet joeuropiane do të nisë nga Afrika.
Gjatë një samiti që u mbajt në Londër me liderë nga politika dhe bizneset afrikane, Xhonson theksoi të hënën potencialin dhe talentet njerëzore që mban kontinenti i dytë më i madh i botës.
“Më shumë se gjysma e 15 ekonomive me rritjen më të shpejtë në botë ndodhen në Afrikë. Dy e treta e ekonomive afrikane po zgjerohen më shpejt sesa mesatarja globale. Afrika është e ardhmja dhe Mbretëria e Bashkuar ka për të luajtur rol madhor dhe aktiv në të ardhmen,” deklaroi Xhonson.
Shefi i kabinetit konservator paralajmëroi në samit ambiciet për të përballuar bashkë me Afrikën sfidën e ndryshimeve klimatike, duke njoftuar fundin e investimeve britanike në kontinent për projekte të prodhimit jomjedisor të energjisë elektrike.
“Për ta thënë thjesht, asnjë qindarkë e të ardhurave të taksapaguesve angleze nuk ka për t’u investuar drejtpërdrejt në gërmimin dhe djegien e qymyrit për elektricitet. Përkundrazi do përkrahim kalimin në alternativa me mbetje karboni të ulët ose zero,” shtoi Xhonson.
Ndërsa Britania parashtron qëllimet për aleanca të reja ndërkontinentale, vendit sërish i mbetet të arrijë një marrëveshje për tregti dypalëshe me BE-në brenda 10 muajve të ardhshëm, por negociatat do të nisin pas fundshkurtit.