Pas javëve me zjarr/Breshër “gjigant” dhe stuhi pluhuri në Australi (VIDEO)
Pjesë të juglindjes së Australisë, që deri pak ditë më parë ishin shkrumbuar nga flakët, tashmë janë “pushtuar” nga shiu dhe breshëri, por edhe një stuhi pluhuri.
Të hënën, kryeqyteti Kanbera u pushtua nga breshëri, kokrrat e mëdha të të cilit (rreth 5 cm diametër) detyruan njerëzit, por edhe makinat, të futeshin poshtë strehave për t’u mbrojtur. Stuhia dhe reshjet tashmë janë drejtuar nga lindja e vendit, ku qytetet si Sidnei dhe Njukasëll pritet të kenë probleme, të paktën sipas paralajmërimeve që ka lëshuar Zyra Australiane e Meteorologjisë.
Në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, të dielën një stuhi pluhuri mbuloi qytetet. Pamjet e xhiruara nga njerëz të ndryshëm tregonin retë gjigante, disa dhjetëra metra të larta që nuk lejonin depërtimin e diellit. Stuhia nuk ishte thjesht e lartë, por edhe e gjatë disa kilometra, siç tregohet nga pamjet e xhiruara në qytezën Narromine, në qendër të vendit.