Pas masakrave, nis dorëzimi vullnetar i armëve pa leje në Serbi

Pas masakrave me të vrarë nga dora e adoleshentëve, nga kjo e hënë në Serbi ka nisur dorëzimi vullnetar i armëve pa leje.  Autoritetet u bënë thirrje të gjithë atyre që mbajnë armë pa leje, t’i dorëzojnë brenda 8 Qershorit, periudhë gjatë së cilës ata nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore.

Kush kapet me armë pa leje pas asaj date do të përballet me ndëshkime të ashpra deri disa vite burg, siç parashikon rregullorja e re që po harton qeveria. Po ashtu, nga kjo e hënë, nisi mbrojtja me policë e të gjitha shkollave të vendit. Të dielën në përfundim të zisë 3-ditore, u zhvilluan edhe ceremonitë mortore shtetërore për 8 nxënësit dhe rojen e shkollës 8-vjeçare të Beogradit, që u krye nga një nxënës 13-vjeçar.

Serbia është një prej vendeve me numrin më të lartë të armëve në duart e popullsisë në Europë, pasojë e luftërave të shumta që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

SHKARKO APP