Pas më shumë se dy muajsh në karantinë, nënë e bir presin tortën e ditëlindjes në kufi
Pas dy muajsh e gjysmë në karantinë pa u takuar, Francesco Piacentini 44 vjeç vendosi të takonte nënën e tij Delma Visonà 67 vjeçe në kufirin midis Veneto dhe Trentino, në Pian delle Fugazze, midis krahinave të Vicenza dhe Trento.
Një mënyrë për të parë njëri-tjetrin duke respektuar rregullat e vendosura nga urgjenca shëndetësore dhe një rast për të festuar ditëlindjen e tij bashkë dhe për të ngritur dolli.
“Ajo jeton në Veneto, unë në Trentino. Me 1 maj kisha ditëlindjen dhe ajo ishte e dëshpëruar. Më erdhi kjo ide për tu takuar në kufi, mora një tryezë, ajo solli një tortë nga dyqani i pastave, një shishe verë dhe gota. Ajo parkoi në Veneto dhe unë në Trentino “, thotë Piacentini, i cili është me origjinë nga Valdagno por jeton me familjen e tij në Trentino.
“Unë jam fëmijë i vetëm dhe babai im vdiq tre vjet më parë: në këta dy muaj e gjysmë ajo nuk ka arritur të shohë njeri, të afërmit e saj jemi vetëm ne, unë dhe familja ime. Ishte e vështirë, por ne arritëm të respektonim rregullat deri në fund: ne nuk u përqafuam me njëri-tjetrin. Me të vërtetë mbetëm secili në rajonin tonë, por pas një kohe të gjatë ishte e mjaftueshme. Tani ne jemi duke pritur që të jemi në gjendje ta shohim përsëri njëri-tjetrin, pa ndalimin e lëvizjes midis territoreve të ndryshme, por për momentin kjo ditë ishte shumë e rëndësishme për ti ngritur moralin e nënës” tha më tej ai.
Piacentini bëri një video të takimit dhe nëna e tij gjithashtu bëri të njëjtën gjë.
Italia është futur në fazën e dytë ku është lehtësuar lëvizja brenda rajoneve por ende është e ndaluar dalja jashtë tyre.