Pas telefonatës me Maduron, Venezuela akuzon Uashingtonin për plan ushtarak për naftën
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka konfirmuar raportimet se së fundmi ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nicolás Maduro, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten.
I pyetur nga gazetarët në bordin e “Air Force One” mbi një raport të “New York Times”, i cili pretendonte se telefonata kishte ndodhur javën e kaluar, Trump u shpreh fillimisht se nuk dëshironte të komentonte hollësisht, por më pas deklaroi: “Përgjigjja është po.”
I kërkuar për më shumë detaje rreth bisedës, ai shtoi: “Nuk do të thoja se shkoi mirë apo keq. Ishte thjesht një telefonatë.”
Gazetarët e pyetën gjithashtu nëse një sulm ajror ndaj Venezuelës mund të jetë i afërt, pas deklaratave të mëhershme të Trump se operacionet nga toka për të ndaluar trafikantët e dyshuar të drogës do të nisnin së shpejti dhe se hapësira ajrore venezueliane duhet të konsiderohej e mbyllur.
Në përgjigje, ai u shpreh shkurt: “Mos kini iluzione.”
Ndërkohë, presidenti Maduro ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të marrin nën kontroll rezervat e mëdha të naftës venezueliane përmes presioneve ushtarake dhe politike. Në një letër drejtuar Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Maduro deklaroi se Uashingtoni kërkon të “konfiskojë rezervat më të mëdha të naftës në planet përmes forcës ushtarake vdekjeprurëse.”
Sipas tij, SHBA ka dislokuar rreth 15 000 trupa dhe 14 anije luftarake në Karaibe, lëvizje të cilat ai i cilëson si kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Ky kërcënim rrezikon paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, dhe paraqet rreziqe serioze për prodhimin venezuelian dhe tregun global të naftës,”: tha Maduro.
SHBA-të nuk e njohin Maduron si president legjitim, duke vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, të cilat u shoqëruan me akuza të shumta për manipulim. Një qëndrim i ngjashëm mbahet edhe nga Bashkimi Europian dhe një sërë shtetesh në Amerikën Latine.
KOHA JONË SONDAZH

