Pasojat ekonomike të Covid, gati paketa 1.9 trilion $

Një grup prej 10 senatorësh republikanë amerikanë do të takohen me  presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për pandeminë e koronavirusit. Presidenti Biden ka hartuar një plan të ndihmës ekonomike prej 1.9 trilion dollarësh dhe kërkon që mbështetja për këtë plan të jetë bipartizane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të dielën se Presidenti mori një letër nga 10 senatorët republikanë të cilët kërkuan të takoheshin me të në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar idetë e tyre në lidhje me veprimet e nevojshme për të adresuar krizën ekonomike për shkak të pandemisë.

“I kemi dëgjuar thirrjet tuaja për unitet dhe duam të punojmë në mirëbesim me Administratën tuaj për të përmbushur sfidat shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore të krizës së COVID-it,” shkruan në letrën e tyre Republikanët.

Shtëpia e Bardhë në anën e saj njoftoi se Plani Amerikan i Shpëtimit – ku përfshihet ndihma prej $ 1400, është një hap thelbësor në luftimin e COVIDit dhe rihapjen e shkollave.

Ky projektligj dështoi të kalonte Kongresin para zgjedhjeve presidenciale amerikane, ndërsa më shumë se 10 milion amerikanë dhe mijëra biznese të vogla presin një lloj stimulimi në këtë kohë krize ekonomike dhe shëndetësore.

SHKARKO APP