Pazar në panairin e armëve, Vuçiç blen dronë kamikazë arabë dhe avionë lufte
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka dalë për pazar në panairin e armëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Blerja e parë janë dronë kamikazë. “Këta janë dronë kamikazë dhe do të jenë në territorin e Serbisë. Shpresojmë që në pesë apo gjashtë muajt e ardhshëm do të jemi në gjendje të kemi dronët e parë kamikazë në ushtrinë serbe”, tha presidenti serb.
Kurse në pamundësi për të marrë armatime dhe sistemet raketore tokë-ajër nga Rusia, Serbia po hedh sytë nga Franca për bombardues të fuqishëm.
”Negociatat janë duke u zhvilluar me francezët për avionët ‘Rafale’. Tani ne nuk mund të marrim sistemet Pantsir për shkak të luftës në Ukrainë, por është një armë shkatërruese, veçanërisht Pantsir S1M. Ne kemi paguar paraprakisht 30 për qind për S1M, por tani është e pamundur të thuash se do të vijë në Serbi”,-tha më tej Vuçiç.