Pengesat për ribashkimin e familjeve të ndara në kufirin SHBA-Meksikë

Administrata e Presidentit Biden është zotuar të ribashkojë qindra prindër emigrantë me fëmijët që u ndanë ndërsa mbaheshin në paraburgim në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, raporton se gjetja e prindërve – shumë prej të cilëve u dëbuan në vendet e tyre – dhe ribashkimi me fëmijët që ndodhen ende në Shtetet e Bashkuara, nuk është një detyrë e lehtë.

Si mijëra migrantë, Luisi u largua nga Guatemala me djalin e tij adoleshent në maj 2018 për t’u shpëtuar bandave vendase, duke ecur më shumë se 2,000 kilometra drejt kufirit SHBA-Meksikë.

“Hasëm në oficerë të patrullës kufitare që na morën mua dhe djalin. Ata më thanë se djali duhej të ndahej nga unë sepse po më dërgonin në paraburgim”, thotë ai.

“Luis” nuk është emri i tij i vërtetë dhe Zëri i Amerikës ra dakord të mbrojë identitetin e tij.

“Zyrtarët më thanë… Nuk mund të kërkosh asgjë. Nëse bën pyetje, ne do të paraqesim më shumë akuza kundër teje”, tregon ai.

Luis dhe djali i tij arritën në një kohë kur administrata e ish-Presidentit Donald Trump kishte deklaruar një politikë të tolerancës zero për emigrantët që kapen duke kaluar kufirin ilegalisht.

Djali i Luisit iu bashkua mijëra fëmijëve të tjerë emigrantë – disa thjesht fëmijë të vegjël – të mbajtur në mjedise të veçuara.

“Unë nuk dua që fëmijët t’u merren prindërve, por kur ndiqen penalisht prindërit për hyrje të paligjshme, gjë që duhet të ndodhë, fëmijët duhet të largohen”, thoshte në qershor 2018, ish-Presidenti Trump.

“Ishte torturë ajo që na bënë”, thotë Luis.

Luisi u deportua në Guatemalë.

Djali i tij qëndroi në paraburgim derisa një i afërm që jetonte në Shtetet e Bashkuara u bë kujdestari i tij.

Sot, qindra fëmijë emigrantë mbeten të ndarë nga prindërit e tyre, një situatë që Presidenti Joe Biden ka premtuar ta ndreqë.

“Ne do të punojmë për të zhbërë turpin moral dhe kombëtar të administratës së mëparshme që fjalë për fjalë, jo në mënyrë figurative, i shkuli me forcë fëmijët nga krahët e familjeve të tyre, nënave dhe baballarëve të tyre në kufi”, tha Presidenti Biden.

Administrata e Presidentit Biden krijoi një grup pune për ribashkimin e familjeve. Por gjetja e prindërve të deportuar është një detyrë sfiduese, thotë një avokat amerikan që lufton për të bashkuar familjet.

“Kërkojmë që administrata e Presidentit Biden të bëjë disa gjëra shumë specifike. E para është të na ndihmojë të gjejmë 500 familjet e mbetura dhe kjo do të thotë të na jepni çfarëdo informacioni kontakti që ata kanë. E dyta është që administrata e Presidentit Biden të lejojë prindërit të kthehen në Shtetet e Bashkuara për t’u ribashkuar me fëmijët e tyre, disa nga ata fëmijë janë të vegjël dhe kanë qenë larg prindërve të tyre tashmë prej vitesh”, thotë Lee Gelernt, nga Unioni Amerikan i Lirive Civile.

Zgjidhja përfundimtare, sipas juristëve për çështjet e emigracionit, është dhënia e statusit ligjor në mënyrë që familjet e ribashkuara të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. Administrata e Presidentit Biden thotë se është e hapur ndaj kësaj ideje.

“Nëse, në fakt, ata kërkojnë të ribashkohen këtu në Shtetet e Bashkuara, ne do të shqyrtojmë rrugët e ligjshme që ata të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari Mayorkas.

Ndërkohë, puna për gjetjen e prindërve të dëbuar vazhdon me ndihmën e organizatave jofitimprurëse që rrëmojnë në zona të thella në të gjithë Amerikën Qendrore.

“Shumë herë, marrim më shumë informacion nga të dhënat e njerëzve këtu në Guatemalë përmes certifikatave të lindjes dhe mund të shohim se nga vijnë prindërit. Në raste të tjera, duhet të shkojmë tek drejtuesit e komunitetit dhe të përpiqemi të pyesim nëse ata njohin një person të caktuar”, thotë Aroldo Palacio, jurist në Guatemalë me organizatën “Drejtësia në Lëvizje”.

Më shumë se 5,000 familje u ndanë në kufirin SHBA-Meksikë. Prindërit e 105 fëmijëve u gjetën në muajin shkurt. Luisi dhe djali i tij u ribashkuan në Shtetet e Bashkuara, por kërkimi vazhdon për prindërit e rreth 500 fëmijëve./VOA

SHKARKO APP