Peniani ruan heshtjen

Koreja e Veriut vijon të ruajë heshtjen sa i përket dy samiteve të ardhshme që do të organizojë me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas Ministrisë koreano-jugore të Bashkimit, kjo ndodh pasi Peniani po tregon kujdes në organizimin e qëndrimit që do të mbajë lidhur me këto takime. As media shtetërore koreano-veriore nuk i ka kushtuar vëmendje ftesës së liderit Kim Jong-un për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump apo me presidentin koreano-jugor Moon Jae-in, për të diskutuar të ardhmen e programit bërthamor të vendit.

Teksa dy Koretë do të zhvillojnë një samit në fund të muajit prill në fshatin kufitar të Panmunjom, Donald Trump dhe Kim Jong-un do të takohen në fund të majit, por vendi se ku do të zhvillohet ky takim mbetet ende për t’u zgjedhur. Zhvillimi është pritur me interes por edhe me dyshim ndërkombëtarisht, teksa shumë analistë mbeten skeptikë për rezultatin që do të arrihet nga këto bisedime. Sidoqoftë, Donald Trump do të bëhet i pari president amerikan që takohet me një udhëheqës koreano-verior.

Pas kritikave që shefi i Uashingtonit mori pasi pranoi ftesën e liderit Kim për bisedime, zyrtarët amerikanë argumentuan se vendimi nuk është një shfaqje apo një dhuratë për Penianin. Drejtori i Agjensisë Qendrore të Inteligjencës Mike Pompeo dhe Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin konfirmuan se Uashingtoni do të vijojë të këmbëngulë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga çdo testim bërthamor përpara takimit që si qëllim ka denuklearizimin e plotë të gadishullit korean.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?